“Për dikë hoxha, për dikë punëtori në Baustelle” – Drilon Gashi reagon pas përfoljeve për punën e tij në Gjermani

Ish-imami Drilon Gashi ka reaguar përmes një postimi në Facebook pas komenteve dhe diskutimeve të shumta që kanë qarkulluar ditët e fundit lidhur me angazhimin e tij në punë ndërtimore në Gjermani. Ai ka reflektuar mbi mënyrën se si njerëzit e gjykojnë një individ në bazë të profesionit, pozitës dhe statusit shoqëror.
“Disa më mbështetën, disa më gjykuan, disa më shpallën të dështuar”, ka shkruar Gashi, duke ngritur pyetje mbi identitetin, dinjitetin dhe njohjen e vetes. Në reagimin e tij, ai ka paralajmëruar edhe mundësinë e organizimit të një webinari mbi sufizmin dhe psikologjinë ekzistencialiste.
Postimi i plotë i Drilon Gashit:
KUR NJERIU HUMB GJITHÇKA QË MENDONTE SE ISHTE, ÇFARË I MBETET?
Të dashur miq,
Këto ditë shumë njerëz folën për mua. Disa më mbështetën, disa më gjykuan, disa më shpallën të dështuar e disa të tjerë më ngritën më lart sesa e meritoj.
I lexova të gjitha këto me një ndjenjë të çuditshme.
Tashmë jam bindur se njerëzit nuk e shohin atë që jemi, por zakonisht atë që përfaqësojmë në botën e tyre.
Për dikë isha hoxha. Për dikë intelektuali. Për dikë psikoterapisti. Për dikë filozofi. Për dikë ish-këshilltari. Për dikë punëtori në Baustelle. Për dikë i devijuari. Për dikë viktima e një sistemi…
Por kush jam unë përtej gjithë këtyre emërtimeve?
Kjo është një pyetje që më ka përcjellë prej shumë vitesh në filozofi, psikologji dhe veçanërisht në studimin e sufizmit.
Njohja e vetës, vetënjohja.
Çfarë mbetet prej njeriut kur i hiqen pozitat, titujt, pasuria dhe imazhi që ka ndërtuar për veten?
A e humb veten, apo pikërisht atëherë fillon ta njohë?
Në sufizëm, njohja e vetes nuk është thjesht grumbullim dijesh mbi personalitetin, por edhe një përballje e vështirë me egon, lidhjet, frikërat dhe identitetet me të cilat jemi njëjtësuar.
Nganjëherë vuajmë jo vetëm nga ajo që kemi humbur, por edhe nga ideja se kush mendonim që duhej të ishim.
Atëherë kur maskat bijnë.
Megjithatë, spiritualiteti nuk duhet të bëhet arratisje nga realiteti. As lutja nuk e zëvendëson punën, as meditimi përgjegjësinë ndaj familjes.
Për mua, pyetja është se si mund të punojë njeriu për ta pranuar dhe ndryshuar jetën e vet, pa e humbur qetësinë dhe dinjitetin kur rezultatet vonojnë.
Dhe këtu ndiej se kam ende shumë për të mësuar e punuar.
Ndoshta liria e vërtetë nuk qenka të arrish gjithçka që dëshiron, por të mos e humbësh veten sa herë që jeta nuk shkon sipas dëshirës sate dhe të impenjohesh në detyrat që t’i ka dhënë realiteti këtu dhe tani.
Pikërisht mbi këto pyetje po mendoj të organizoj një webinar të ri për sufizmin, njohjen e vetes dhe marrëdhënien mes egos, sprovave dhe lirisë së brendshme.
Unë nuk do të jap receta magjike për jetën, por për të menduar së bashku mbi disa nga pyetjet më të vështira të ekzistencës njerëzore.
Për të menduar pak për Psikologjinë Ekzistencialiste, kësaj radhe në stilin islam.
Dhe sot, e diele vikendi, po ua lë një pyetje:
Nëse nesër do të humbisje pozitën, pasurinë, reputacionin dhe gjithçka me të cilën identifikohesh, a do të dije ende se kush je?
Me dashuri e respekt,
Drilon Gashi
Artikuj të ngjashëm



KUJTESË: Elizabetë Poniku, zvicerania që e dha krejt pasurinë për UÇK-në
