Kalo te përmbajtja / Skip to content
Histori

Volteri dhe Skënderbeu: një kapitull i shkurtër, një jehonë e gjatë

AutoktonPublikuar më 20.11.2026Përditësuar më 20.11.2026Lexim prej 5 minutash

Volteri (François-Marie Arouet, 1694–1778) është një nga figurat qendrore të Iluminizmit evropian, vlerat filozofike dhe historike të të cilit qëndrojnë në mbrojtjen e vendosur të arsyes, tolerancës fetare, lirisë së fjalës dhe ndërgjegjes, si dhe në kritikën e mprehtë ndaj fanatizmit, absolutizmit dhe padrejtësive shoqërore. Në planin historik, ai e transformoi historiografinë duke e zhvendosur vëmendjen nga kronikat e thjeshta të mbretërve, betejave dhe datave te historia e zakoneve, kulturës, institucioneve, shkencës dhe shpirtit të kombeve, duke e parë përparimin njerëzor si rezultat të arsimimit, arsyes dhe gjykimit kritik të bazuar në fakte, me një qasje më të gjerë dhe më pak eurocentrike se paraardhësit e tij.

Volteri shkruan për Skënderbeun në Essai sur les mœurs et l’esprit des nations. Skënderbeu ka në këtë vepër një kapitull dhe disa përmendje të tjera kalimtare. Këtë e thotë edhe Alexandre Zotos, studiuesi francez i letërsisë, në artikullin e tij mbi figurën e Skënderbeut në letrat franceze (Balkan Studies, 1996, f. 77–105). Kapitulli i tij ka rëndësi si dëshmi se tema nuk shuhet në mesin e shekullit XVIII, jo për vëllimin.

Vepra dhe vendi i Skënderbeut në të

Reklamë

Vepra doli në vitin 1756, por sipas shënimit të botuesit Beuchot atëherë titullohej Essai sur l’histoire générale. Beuchot shënon se Volteri e botoi në 1756 me këtë titull. Numërimi i kapitujve ndryshon nga botimi në botim. Sipas botimit Beuchot, kapitulli 90 titullohet “De Scanderbeg”, 91 flet për rënien e Kostandinopojës dhe 92 për ndërmarrjet e Mehmetit II dhe vdekjen e tij. Zotos e vendos kapitullin XC në botimin e René Pomeau-t (Garnier, 1963, vëll. I, f. 814–815).

Volteri i kushton Skënderbeut një kapitull të shkurtër dhe veçon dy faktorë të fushatave të tij: shqiptarët si racë luftëtarësh dhe natyrën malore të vendit.

“Perandorët grekë, po të kishin qenë Skënderbenj, do ta kishin ruajtur Perandorinë e Lindjes.” Thuhet në disertacionin e Fan Nolit (1945) që e njihte veprën e iluministit të shquar.

Burimet e Volterit

Sipas Pomeau-t, të cilin e citon Zotos, Volteri mbështetet në veprën e Dimitrie Cantemir-it, të përkthyer së fundi në frëngjisht, ku Skënderbeu dhe Shqipëria zënë një vend të pjesshëm. Zotos mendon se Volteri ka pasur në dorë edhe biografinë e At Jean-Nicolas Duponcet (1709), që në atë kohë i kishte zëvendësuar biografitë e Barletit dhe të Lavardin-it.

Duponcet ia vlen të njihet. Jezuiti shkruan në frëngjisht për publikun e gjerë dhe e qorton Barletin si “deklamator” më shumë se historian. Zotos thotë se ai është i pari që përcaktoi datën e saktë të vdekjes së Skënderbeut. Libri ritrajtohet në 1854–1855, kur Lufta e Krimesë ringjalli kureshtjen për Turqinë. Zotos vë në dukje se Duponcet e lexon historinë me sy kishtari. Ai sheh dorën e Providencës në vdekjen e Mehmetit II dhe e idealizon marrëdhënien e Skënderbeut me Papatin. Ndërsa Volteri, në kapitullin XCII të bashkëngjitur, e shpjegon të njëjtin vdekje me një kolikë që ndali planet e sulltanit (1481) dhe tallet me mrekullinë e kryqit të artë në qiell, që e merrte nga kronikani Halkokondili. Ai tregon se Volteri e trajton një temë të trashëguar nga tradita kishtare me metodën e historianit skeptik.

Çfarë thotë kapitulli XCII

Skënderbeu del këtu dy herë, thjesht si pikë referimi. Së pari, Volteri thotë se kalorësit e Rodosit patën, si Skënderbeu, lavdinë të zmbrapsnin armët fitimtare të Mehmetit II. Së dyti, thotë se sulltani e pushtoi Epirin pas vdekjes së tij. Teksti përmend gjithashtu Shkodrën (“Scutari”) mes qyteteve që Mehmeti II “reduktoi” dhe vërejtjen për Venedikun: flotat e saj arritën të marrin Athinën, por republika, e pambështetur, pagoi haraç.

Më i vlefshem është një pasazh që nuk e përmend Skënderbeun, por prek boshtin që Zotos e quan “fascinimin më të turbullt” të figurës së tij. Volteri vë re se në ushtrinë osmane luftonin shumë të krishterë renegatë, madje vezirin e madh e kishte nga gjaku perandorak i Paleologëve. Ndërsa, shkruan ai, myslimanë që të kalonin në ushtri të krishtera nuk janë parë kurrë. Pastaj shtron tri hipoteza: rëndësia e fesë që kushton gjak, prestigji i fitimtarëve aziatikë dhe bindja se Zoti i favorizon armët myslimane. Zotos, duke iu referuar Bennassar-ëve, e lexon Skënderbeun si renegatin dhe “të penduarin” më të madh të kohërave. Volteri nuk e lidh pasazhin me të, por i hap lexuesit të njëjtin pyetje.

Brenda “temës Skënderbe”

Zotos propozon të flasim për një “temë Skënderbe”, sepse tekstet e frymëzuara prej heroit janë të shumta. Ai e kundërshton edhe studiuesin B. B. Ashcom, i cili mendonte se tema shuhej shpejt pas mesit të shekullit XVIII. Volteri është një nga argumentet e tij kundër kësaj teze. Të tjerët janë:

  • romani i Chevilly-t (1732);

  • tragjedia lirike e Houdar de La Motte (1706; opera, 1735), me muzikë të Rebel-it dhe Francœur-it;

  • Histoire des favorites e Anne de La Roche-Guilhem (1697) dhe romani i saj Le Grand Scanderberg (1688);

  • përkthimet angleze të këtij të fundit dhe veprat e Adrien Richer-it (1750, 1786–1789);

  • tragjedia e Dubuisson-it (1786), që Zotos e përshkruan si fiasko.

Zotos e sheh një prerje të frymës iluministe te Stefano Zannowich, autor i Le Grand Castriotto d’Albanie (1779), roman-ese polemik që sipas bibliografive e lartëson Skënderbeun më shumë si mbrojtës të lirisë dhe pavarësisë së kombit shqiptar sesa si kalorës të krishterimit. Zotos nuk e ka pasur tekstin në dorë, ndaj e thotë me rezervë.

Volteri nuk e bën Skënderbeun hero të madh të veprës së tij. Ai i kushton një kapitull të shkurtër, e përmend si krahasim në kapitujt përreth dhe e qaset si historian skeptik, jo si hagiograf. Kjo përputhet me vëzhgimin e Zotos-it se, nga mesi i shekullit XVIII, trajtimet e Skënderbeut ndahen mes didaktikës kishtare, “turqerisë” së lehtë romaneske dhe, më rrallë, një leximi të lirisë kombëtare. Zotos shton se, edhe pse fiksionet nuk ngritën “vepra madhore”, figura mori një dimension mitik: i fundit i kryqtarëve të vjetër ose i pari i të rinjve.

Artikuj të ngjashëm

Reklamë