Kalo te përmbajtja / Skip to content
Kulturë

“Mrekullitë e Arbërisë” rikthehen në TKOBAP, një mbrëmje kushtuar thesareve të folklorit shqiptar

AutoktonPublikuar më 13.10.2026Përditësuar më 13.10.2026Lexim prej 1 minutash

Tradita, muzika dhe vallet popullore shqiptare do të bashkohen në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit dhe Ansamblit Popullor (TKOBAP), ku më 13 tetor do të rikthehet spektakli “Mrekullitë e Arbërisë”.

I interpretuar nga Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore, në bashkëpunim me Ansamblin “Gurra e Kurbinit”, shfaqja synon të sjellë për publikun pasurinë e trashëgimisë kulturore shqiptare përmes një udhëtimi artistik në traditat që kanë përcjellë ndër breza identitetin tonë kombëtar.

Nga tingujt e lahutës dhe magjia e polifonisë, te ritmet e K’cimit të Tropojës dhe hijeshia e xhubletës, spektakli do të ndërthurë elemente të ndryshme të kulturës sonë. Pjesë e kësaj tabloje artistike do të jenë edhe madhështia e qyteteve të gurta dhe tradita e lashtë e transhumancës, duke sjellë në skenë një mozaik të pasur të trashëgimisë shqiptare.

Reklamë

Mbrëmjes do t’i bashkohen edhe emra të njohur të folklorit, mes tyre Vendim Kapaj me fyell, Pjetër Matusha me lahutë, si dhe grupi i çiftelive.

Përmes muzikës, kostumeve tradicionale dhe valleve, “Mrekullitë e Arbërisë” rikthen në vëmendje vlerat kulturore që përbëjnë një pjesë të rëndësishme të identitetit shqiptar, duke sjellë në skenë thesare të trashëgimisë sonë të njohura edhe në nivel ndërkombëtar.

Spektakli do të mbahet më 13 tetor, në orën 20:00, në skenën e TKOBAP-së.

“Mrekullitë e Arbërisë” rikthehen në TKOBAP,

Artikuj të ngjashëm

Reklamë