A janë spiunë kundërshtarët politikë apo ata që dëshmojnë kundër teje e kur dënohesh derdhin lot krokodilli

Kush janë “spiunët e Hagës”?
Nuk të bën spiun fakti që ke pasur mendime dhe qëndrime politike të kundërta me Hashim Thaçin apo me të tjerët në Hagë. Nuk të bën spiun as fakti që ke kritikuar politikisht njërin apo tjetrin.
Përkundrazi, mund ta kesh lartësuar UÇK-në, ashtu siç e meriton, sa herë të është dhënë rasti.
Por ka një dallim të madh mes kundërshtimit politik dhe akuzimit të dikujt për krime.
Nëse, kur të prishen interesat personale apo politike, e quan Thaçin ose të tjerët “kriminelë”, i lidh me raste konkrete të krimit dhe më pas shkon e dëshmon për këto pretendime në Hagë, atëherë duhet të mbash përgjegjësi publike për atë që ke thënë dhe dëshmuar.
Nuk mund të hedhësh gurë e dru në një moment, ndërsa më vonë t’i lavdërosh gjatë gjithë kohës njerëzit që janë në Hagë dhe, kur vjen aktgjykimi, të derdhësh lot krokodili me shumicë.
Prandaj, debati nuk duhet të jetë se kush ka qenë kundërshtar i Thaçit apo i partisë së tij. Pyetja është shumë më konkrete: kush ka bërë akuza për krime, çfarë ka pretenduar dhe çfarë ka dëshmuar në Hagë?



