“Aksham pazari i fundit i Sami Lushtakut”, Alarmon Zëvendësministri Mehani: Po ua jep miqve pronat milionëshe

Zëvendësministri i Financave, Hysni Mehani, ka kritikuar kryetarin e Skënderajt, Sami Lushtaku, lidhur me planet për dhënien e 5 pronave publike në këtë komunë për biznese private, shkruan rajoni.org.
Në postimin e tij në rrjetin social “Facebook”, Mehani ka pretenduar se pronat publike po u jepen personave të afërt me Lushtakun, ndërsa ka kërkuar nga asamblistët që të mos e votojnë dhënien e tyre.
Mehani ka përmendur edhe rastin e shkollës së Polacit, për të cilën pretendon se ishte rrënuar me premtimin për punësimin e dhjetëra personave dhe ndërtimin e një fabrike, por se investimet e premtuara nuk u realizuan. Sipas tij, në vend që personi përgjegjës të ndëshkohej për rrënimin e shkollës dhe mosrealizimin e kontratës me komunën, ai po shpërblehet me një pronë tjetër me vlerë milionëshe në qendër të qytetit.
Postimi:
Aksham pazari i fundit i Sami Lushtakut!
Pas këtyre pronave të shënjuara në foto, të cilat Sami Lushtaku i ka planifiku me ua dhanë dostave të tij këto ditë, më Samiu nuk ka çfarë t’i merr Skënderajt.
Ia ka marrë të gjitha; bash të gjitha!
Dhe për ta kryer këtë akt të fundit, paska zgjedhur një keqpërdorues me përvojë, i cili e prishi shkollën e Polacit me premtimin se do të punësojë dhjetra njerëz dhe do të ndërtone një fabrikë, dhe përfundoi me shkollën e rrënuar dhe invstimet e premtuara askund.
Dhe në vend se ky mashtrues të ndëshkohet për shkatërrimin e pronës publike dhe mos përmbushje të kontratës që e kishte me komunën, Samiu të njëjtin e shpërblen me një pronë tjetër milioneshe në qendër të qytetit.
Çfarë papërgjegjësie e pashembullt!
Dhe në vend se komuna të mendojë për parqe e hapësira publike, për kënde të lojërave për fëmijë, e për objekte që u shërbejnë të gjithë qytetarëve;
Ajo (Komuna) lëshon toka publike për biznese private e banesa private në kundërshtim me ligjin. Në kohën kur banesat kanë mbetur thatë, e objektet biznesore poshtë banesave që kanë mbetur bosh janë me qindra.
Skënderaj ka nevojë për frymë; për një qeverisje që mirëmbanë parqe e hapësira publike ku qyteti gjallëron, për fusha ku fëmijët lozin e prindërit e gjyshërit i vështrojnë, dhe jo edhe për më shumë beton, jo edhe për më shumë banesa të thata, jo edhe për më shumë lokale të thata.
Fundja banesat e lokalët lë t’i bëjnë privatët, pse duhet me ua falë pronat e fundit të komunës?! Pse?
Pasuritë milioneshe të komunës, të cilat do duhej të ishin pasuri e të gjithë qytetarëve, po përfundojnë në xhepin klanit të krimit që ia ka marrë frymën Skënderajt.
Samiu nuk ia ka marrë veç pronat Skënderajt;
ia ka marrë edhe nxënësit e shkollave që po mshelën,
ia ka marrë edhe guximin e intelktualëve që po heshtin,
ia ka marrë edhe jetën klubëve sportive që mëzi po mbahen,
ia ka marrë edhe zhurmën e bizneseve që nuk po hapën,
ia ka marrë edhe trasportin publik që nuk po bëhet,
ia ka marrë edhe çerdhet që nuk po hapën,
ia ka marrë tregun e gjelbër që nuk po bëhet,
ia ka marrë Xhaminë e premtuar që nuk u bëri,
ia ka marrë edhe lumin e qytetit që kurrë nuk e mirëmbajti,
ia ka marrë edhe ujin që shumë fshatrave kurrë nuk u dërgoi,
me një fjalë i ka marrë gjithçka që ishte e qytetit dhe qytetarëve.
Historia na ka treguar që asnjë tiran a diktator nuk është i përjetshëm, i ka ardh fundi një ditë.
Ka me i ardh fundi edhe në Skënderaj, e ata që po zhvatin pasurinë publike kanë me u përballë me popullin dhe forcën e ligjit.
Kanë me i kthy cent më cent, e metër për metër.
Populli thotë: Çka është e huaja e jotja nuk bëhet.
E çka është e popullit, atij ka me ju kthy herët a vonë.
I ftoj asamblistët, që nesër të marrin guximin e të mos i votojnë dhënien e këtyre pronave.
Artikuj të ngjashëm


Kurti pas miratimit të Ligjit për Byronë: Na vonuan, por nuk do të na ndalin

