E premtoi gjatë fushatës, Kurti planifikon ta kalojë në Qeveri ligjin për formimin e Xhandarmërisë në shkurt të 2027-s

Kryeministri Albin Kurti në kulmin e fushatës zgjedhore, më 18 maj, të këtij viti e kishte bërë publike idenë për krijimin e një strukture të re të sigurisë, derisa po e kërkonte votën e kosovarëve. Ai kishte thënë se Kosova do ta formojë Xhandarmërinë e saj, një forcë mes policisë dhe ushtrisë.
Kryeministri në detyrë kishte thënë se Xhandarmëria do të krijohet shpejt, pra gjatë Qeverisë Kurti 4.
“Do ta formojmë xhandarmërinë në mandatin e ardhshëm. Xhandarmëria do të kujdeset për luftimin e krimit dhe korrupsionit në zonat kufitare kryesisht. Do ta luftojë terrorizmin…Xhandarmëria është diçka mes policisë e ushtrisë. E dini Italia i ka karabinierët e Franca i ka xhandarët. Ne do ta kemi xhandarmërinë tonë në Republikën e Kosovës”, kishte thënë Kurti.
Një ditë më vonë, Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës në detyrë Xhelal Sveçla, kishte njoftuar se ka nënshkruar krijimin e një Grupi Punues që do të kryejë një analizë dhe do të propozojë modalitete për funksionimin e Xhandarmërisë së Kosovës, si një agjenci e asaj ministrie.
“Xhandarmëria e Republikës së Kosovës po formohet. Xhandarmëria përfaqëson një hap të rëndësishëm në konsolidimin e arkitekturës sonë të sigurisë, me një mision të qartë për të garantuar një prani të fortë të shtetit në funksion të ruajtjes së kufijve, integritetit dhe sovranitetit tonë territorial, mbrojtjes nga terrorizmi, menaxhimit të trazirave me rrezik të lartë dhe mbrojtjes së infrastrukturës kritike”, kishte shkruar Sveçla në rrjetet sociale.
Më 28 maj, sa ishte Kryeministër në detyrë, Kurti tha se Xhandarmëria e Kosovës do të plotësojë boshllëkun midis Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe Policisë së Kosovës.
Në një konferencë për media, ai kishte potencuar se institucionet e Kosovës por edhe ato të huaja ishin përballur me sulme të ndryshme në veri të Kosovës dhe themelimi i Xhandarmërisë si strukturë e re e organizuar, është domosdoshmëri e kohës.
“Xhandarmëria do të ketë një mandat të qartë: sigurimin e vijës kufitare tokësore, ujore dhe ajrore në tërë territorin e Republikës së Kosovës. Operacione kundër grupeve terroriste dhe të armatosura, përfshirë ato me karakter paraushtarak. Parandalimi dhe luftimi i të gjitha llojeve të kontrabandës ndërkufitare si me mallra dhe emigrantë. Menaxhimi i situatave të rrezikut të lartë si dhe sigurimi i infrastrukturës kritike”, thekoi Kurti.
Ai kishte shtuar se Xhandarmëria do të themelohet në përputhje me sistemin kushtetues të vendit ndërsa themelimi i saj do të bëhet me miratimin e Ligjit të Veçantë nga Kuvendi i Kosovës, në Legjislaturën e 11-të, e cila do të dalë pas zgjedhjeve të 7 qershorit 2026.
Projektligji për Xhandarmërinë është njëri nga projektligjet që Qeveria i ka radhitur në Programin e Projektligjeve të Qeverisë për vitet 2026-2028
Ky Program i Projektligjeve për vitet 2026 – 2028, është miratuar në mbledhjen e 5-të të Qeverisë së Republikës së Kosovës, më 6 tetor.
Ndërkohë, sipas kalendarit ai pritet të kalojë në qeveri disa muaj më vonë më 26 shkurt 2027.

Kurti më 13 shtator ka marrë mandatin e katërt si kryeministër i Kosovës, ndërkohë që vendi më 6 tetor ka zgjedhur edhe Presidenten e re. /Express



