Ermal Sadiku mes LDK-së dhe UÇK-së thotë se gjodhi partinë. Por, e porosit Presidenten të mos e harrojë UÇK-në

Sadiku mes LDK-së dhe UÇK-së: Zgjodhi partinë, tash e porosit Presidenten të mos e harrojë UÇK-në
Deputeti i LDK-së, Ermal Sadiku, ka bërë një rrëfim të gjatë për atë që e quan “ditën më të rëndë” të karrierës së tij të shkurtër politike.
Në shkrimin e tij, Sadiku pranon hapur dilemën që kishte para vendimit.
“I ndarë mes përgjegjësisë institucionale, drejtësisë, të kaluarës së rëndë të LDK-së dhe dashnisë time të pashtershme për UÇK-në, kam zgjedh me respektu vendimin e përbashkët të partisë”, shkruan ai.
Pra, përballë asaj që vetë Sadiku e përshkruan si një zgjedhje mes bindjeve të tij dhe vendimit partiak, ai zgjodhi të qëndronte me LDK-në.
“Vendimi im dje ishte me qëndru me grupin tim parlamentar dhe me marrë përgjegjësinë për këtë vendim. Pa ikë prej tij. Pa e fajësu askënd tjetër”, thotë Sadiku.
Por pjesa interesante e shkrimit vjen më pas.
Pasi shpjegon pse iu bind vendimit të partisë, Sadiku i drejtohet Presidentes së sapozgjedhur, Justina Pula, pikërisht për çështjen e UÇK-së.
“Mos e harro këtë. Mos i harro ata që luftuan. Mos i harro ata që u vranë. Mos i harro familjet që ende presin drejtësi”, shkruan Sadiku.
Madje ai ia kujton Presidentes edhe atmosferën në të cilën u bë zgjedhja e saj:
“Je Presidente që je votu nën brohoritjet ‘UÇK, UÇK, UÇK’, në një qytet që po bënte flakë.”
Kështu, Sadiku, i cili vetë pranon se në dilemën mes qëndrimit të tij ndaj UÇK-së dhe vendimit të LDK-së zgjodhi t’i qëndrojë besnik vendimit të partisë, tash ia lë Presidentes porosinë që ajo të mos e harrojë UÇK-në.
Ai megjithatë nuk tenton të ikë nga përgjegjësia për zgjedhjen e bërë. Përkundrazi, thotë se nuk dëshiron të jetë politikan që “kur vendimi është i vështirë, fshihet pas të tjerëve”.
Në fund, Sadiku përpiqet ta zhvendosë mesazhin nga përplasja e djeshme drejt së ardhmes.
“Historinë duhet me e mbajtë mend. Por nuk mundemi me jetu vetëm në të. Historia na tregon prej nga vijmë. Vizioni përcakton ku shkojmë”, përfundon ai.
Por pikërisht shkrimi i tij e lë të dokumentuar dilemën politike të një dite më parë: mes asaj që ai vetë e quan “dashni të pashtershme për UÇK-në” dhe vendimit të LDK-së, Sadiku zgjodhi LDK-në.



