Feraj: Dallimi është se Albin Kurti beson dhe opozita nuk beson se SHBA janë miq dhe aleatë të Kosovës!

Analisti Hysamedin Feraj ka komentuar raportet e Kosovës me SHBA-në, duke thënë se dallimi mes kryeministrit Albin Kurti dhe opozitës qëndron te besimi ndaj SHBA-së si mike dhe aleate e Kosovës.
Feraj pretendon se Kurti ka shtrirë sovranitetin dhe ligjin edhe në veri të vendit, ndërsa opozita, sipas tij, i ka kundërshtuar këto veprime nga mosbesimi ndaj SHBA-së.
Ai ka kritikuar gjithashtu opozitën për qasjen ndaj Serbisë, duke përmendur në postimin e tij edhe Hashim Thaçin dhe Avdullah Hotin në kontekst të marrëdhënieve me SHBA-në dhe çështjeve që lidhen me Serbinë.
Postimi i plotë:
Dallimi është se Albin Kurti beson dhe opozita nuk beson se SHBA janë miq dhe aleatë të Kosovës!
- Me këtë besim, Albin Kurti shtriu deri në detaj sovranitetin, ligjin dhe antikorrupsionin edhe në pjesën veriore të Kosovës, deri atëherë të qeverisur me ligjet e Serbisë. SHBA i pranuan këto veprime si të drejta të një shteti sovran, konsistent me njohjen që i kishin bërë Kosovës si të tillë.
- Opozita nuk besonte se SHBA respektojnë sovranitetin e Kosovës dhe vendimin e vet për ta njohur si të tillë. Prandaj, nisur nga ky mosbesim dhe me besimin se i pëlqejnë SHBA-ve, kundërshtuan të gjitha veprimet e qeverisë Kurti dhe shtetit të Kosovës për shtrirjen e sovranitetit e të ligjit në atë pjesë.
Si rrjedhojë,
- Me mosbesimin te SHBA-të, opozita po nxit perceptimin pervers se mbështetja nga SHBA na duhet që të mund t'i japim Serbisë atë që na kërkon Serbia! A thua se Serbia nuk pranon të marrë atë që na kërkon dhe, prandaj, aleanca me SHBA-të na duhet që t'ia japim Serbisë atë që na kërkon Serbia!
Këtë e ilustrojnë vetë edhe me foto:
Thaçi etj., priteshin në Shtëpinë e Bardhë dhe prisnin mbështetje prej saj, kur lobonin për ndarjen e Kosovës edhe de jure në favor të Serbisë;
Hoti pritej në Shtëpinë e Bardhë të nëshkruante marrëveshjen që i njihte Serbisë të drejtën e bashkëqeverisjes së pasurive strategjike të Kosovës.



