Indeksonline: Bedri Hamza pritet të largohet nga drejtimi i PDK-së, ja kush mund ta zëvendësojë

Ndryshime në udhëheqjen e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) mund të ndodhin gjatë ditëve të ardhshme.
Portali Indeksonline, duke iu referuar burimeve të veta, ka raportuar se kryetari aktual i PDK-së, Bedri Hamza, ka vendosur të largohet nga drejtimi i partisë.
Sipas raportimit të këtij mediumi, Hamza tashmë e ka njoftuar kryesinë e subjektit për vendimin e tij, ndërsa zyrtarizimi i dorëheqjes pritet të bëhet në ditët në vazhdim.
[Indeksonline raporton](https://indeksonline.net/ekskluzive-pritet-largimi-i-bedri-hamzes-nga-drejtimi-i-pdk-se-ja-kush-do-te-jete-u-d-i-kryetarit/) gjithashtu se Vlora Çitaku pritet të marrë përkohësisht drejtimin e PDK-së, në cilësinë e ushtrueses së detyrës së kryetarit.
Sipas të njëjtave burime të cituara nga mediumi, Çitaku, në bashkëpunim me kryesinë e partisë, pritet të merret me përgatitjet për zgjedhjet e brendshme dhe kuvendin zgjedhor që parashihet të mbahet vitin e ardhshëm.
Megjithatë, këto informacione mbeten në nivel të raportimeve mediatike dhe nuk janë konfirmuar zyrtarisht nga Partia Demokratike e Kosovës. Deri më tani, nuk ka një njoftim zyrtar që konfirmon largimin e Hamzës apo marrjen e drejtimit të partisë nga Çitaku.



