Kurti: Në Amerikë diskutuam për Hagën, të zhdukurit dhe të ardhmen euro-atlantike

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se gjatë javës së kaluar qëndroi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në kuadër të Javës së Nivelit të Lartë të Sesionit të 81-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Kurti tha se gjatë qëndrimit në New York zhvilloi takime me liderë dhe zyrtarë të lartë të shteteve mike të Kosovës, si dhe me drejtues të institucioneve ndërkombëtare. Ai bëri të ditur se ka takuar edhe përfaqësues të mërgatës shqiptare në New York.
Sipas Kurtit, në këto takime janë diskutuar një sërë çështjesh, përfshirë aktgjykimin e Dhomave të Specializuara në Hagë, personat e zhdukur me dhunë gjatë luftës së fundit në Kosovë dhe shqiptarët e Luginës së Preshevës, të cilët, sipas tij, për herë të parë ishin pjesë e delegacionit shtetëror të Kosovës.
“Biseduam për ekonomi e për zhvillim, për siguri e për mbrojtje, si dhe për të ardhmen tonë euro-atlantike”, ka shkruar Kurti.
Ai tha se vizita në SHBA ishte e përqendruar edhe në forcimin e bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë dhe avancimin e interesave të Kosovës.



