Kurti: Urojmë që verdikti i së mërkurës të jetë në përputhje me të drejtën, drejtuesit e UÇK-së të kthehen të Iirë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e parë të Qeverisë në mandatin e tij të katërt, ka folur për vendimin që pritet të shpallet të mërkurën nga Gjykata Speciale në Hagë ndaj ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe Kadri Veseli.
Kurti tha se Kosova dhe qytetarët e saj janë në pritje të këtij vendimi, ndërsa ritheksoi qëndrimin e tij se rezistenca dhe lufta e popullit të Kosovës dhe e UÇK-së kanë qenë të drejta dhe çlirimtare.
Sipas kryeministrit, lufta e UÇK-së ishte zhvilluar kundër një pushtuesi që, siç tha ai, kishte kryer krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid ndaj popullit të Kosovës.
Duke iu referuar procesit gjyqësor në Hagë, Kurti shprehu shpresën që verdikti i së mërkurës të jetë në përputhje me atë që ai e cilësoi si të drejtën e luftës çlirimtare të Kosovës. Ai uroi që ish-drejtuesit e UÇK-së të shpallen të lirë dhe të kenë mundësi të kthehen në Kosovë, pranë familjeve të tyre.
“Pasnesër, pas dy ditësh, Kosova, ne të gjithë, presim vendimin e Gjykatës Speciale në Hagë për drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe Kadri Veseli.
Për ne është gjithçka e qartë: populli i Kosovës, rezistenca dhe lufta jonë ka qenë e drejtë, çlirimtare dhe kundrejt një pushtuesi, i cili kreu krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid. Besojmë e urojmë që edhe verdikti i së mërkurës të jetë në përputhje me këtë të drejtë dhe drejtuesit e UÇK-së të kthehen të lirë në vendin e tyre e pranë familjeve”, deklaroi Kurti.
Deklarata e kryeministrit vjen në prag të një prej momenteve më të rëndësishme të procesit gjyqësor në Hagë, i cili prej vitesh ka mbajtur në paraburgim ish-krerët e UÇK-së. Vendimi i së mërkurës pritet me interes të madh në Kosovë, ndërsa Kurti e bëri të qartë pritjen e Qeverisë së tij: që Thaçi, Krasniqi, Selimi dhe Veseli të kthehen të lirë në Kosovë.



