Lladrovci në garë për kreun e PDK-së? Dalin raportime për një kandidaturë të mundshme

Portali Rajoni.org ka raportuar këtë të diel se kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, po planifikon të përfshihet në garën për kryetar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).
Duke iu referuar burimeve të veta, ky medium pretendon se Lladrovci po shqyrton kandidaturën dhe se tashmë ka siguruar mbështetjen e disa figurave me ndikim brenda partisë.
Sipas raportimit, kandidatura e mundshme pritet të bëhet publike kur të krijohen rrethanat e përshtatshme.
Megjithatë, deri në publikimin e këtij artikulli, nuk ka konfirmim publik nga Lladrovci për një vendim të tillë.
Raportimi vjen në kohën kur PDK-ja po përgatitet për zgjedhje të brendshme, pas dorëheqjes së Bedri Hamzës nga drejtimi i partisë më 21 tetor.
Ditë më parë, Lladrovci kishte deklaruar se PDK-së i nevojitet një udhëheqës i pavarur në vendimmarrje, por nuk kishte paralajmëruar kandidaturën e tij.



