E rrëzuan Vuçiçin, por nuk kanë një lider; misteri që ka përfshirë Serbinë

Lista Studentore siguroi shumicën parlamentare dhe i dha fund sundimit 12-vjeçar të Aleksandar Vuçiçit. Megjithatë, lëvizja nuk ka ende një drejtues të përcaktuar për qeverinë e re, ndërsa pikëpyetjet për politikën e brendshme dhe marrëdhëniet me Rusinë, Kinën dhe Bashkimin Evropian mbeten të hapura…
Serbia po hyn në një periudhë të re politike, pas humbjes në zgjedhjet e së hënës të Aleksandar Vuçiçit, i cili ka dominuar skenën politike të vendit për më shumë se një dekadë. Fitorja e lëvizjes studentore ka ndryshuar raportet e forcave, por ka krijuar njëkohësisht pasiguri për përbërjen dhe drejtimin e qeverisë së ardhshme.
Sipas organizatës së pavarur për monitorimin e zgjedhjeve CeSID, Lista Studentore siguroi 53 % të votave, ndërsa Partia Përparimtare Serbe (SNS) e Vuçiçit mori rreth 39 %, bazuar në numërimin e mbi 96 % të votave.
Këto rezultate i japin Listës Studentore 140 nga 250 vendet në Kuvendin e Serbisë, ndërsa SNS-së 103 mandate. Vendet e mbetura u takojnë partive të pakicave.
Pjesëmarrja në zgjedhje arriti afërsisht 70 për qind, niveli më i lartë që nga shpërbërja e Jugosllavisë në vitin 1992.
Humbja e Vuçiçit, i cili ka ushtruar funksionin e presidentit ose kryeministrit gjatë 12 viteve të fundit, nxiti festime në Serbi. Mbështetësit e opozitës e përshkruan rezultatin si një zhvillim që shumë prej tyre nuk e kishin konsideruar të mundshëm.
Përveç përmasave të fitores, shumë qytetarë u befasuan edhe nga shpejtësia me të cilën Vuçiçi pranoi humbjen. Para zgjedhjeve ekzistonte shqetësimi se ai mund ta kundërshtonte rezultatin, duke rritur rrezikun e përplasjeve ndërmjet mbështetësve të tij dhe atyre të lëvizjes studentore.
Nga protestat pas tragjedisë në Novi Sad te fitorja zgjedhore
Lista Studentore u formua si pjesë e një lëvizjeje më të gjerë protestash, që mori hov pas shembjes së një strehe në stacionin hekurudhor të Novi Sadit në vitin 2024, ku humbën jetën 16 persona.
Ngjarja shkaktoi reagime të gjera publike dhe protesta kundër korrupsionit, mungesës së përgjegjësisë institucionale dhe mënyrës së funksionimit të administratës shtetërore.
Profesoresha Aleksandra Krstić, politologe në Universitetin e Beogradit, i cilësoi rezultatet si historike dhe befasuese.
“Njerëzit festuan deri vonë gjatë natës. Papritur ndihen të lirë dhe po kuptojnë se çfarë do të thotë liria. Por mbetet shumë punë për t'u bërë. Ende nuk e dimë se kush do të jetë kryeministër”, deklaroi ajo për The Telegraph.

Një shumicë parlamentare pa drejtues të përcaktuar
Megjithëse ka siguruar shumicën parlamentare, Lista Studentore nuk ka shpallur një kandidat për kryeministër dhe nuk ka përcaktuar se cilët përfaqësues do të marrin drejtimin e ministrive kryesore.
Lëvizja përfshin 250 kandidatë, shumë prej të cilëve kanë ndërtuar karriera në fusha të ndryshme profesionale, por kanë pak ose aspak përvojë në qeverisje.
Mes tyre është Dejan Soskiç, ish-guvernator i Bankës Qendrore të Serbisë, si dhe Ilija Srdanoviç, profesor i kardiologjisë nga Novi Sadi.
Në listë bëjnë pjesë edhe ish-basketbollisti i njohur Dejan Bodiroga, aktori Tihomir Staniç, i cili ka interpretuar në më shumë se 80 filma, këngëtari operistik Nikola Mikiç dhe avokati Feđa Dimoviç, themelues i një grupi hip-hop, këngët e të cilit kanë kritikuar prej vitesh korrupsionin.
Një tjetër kandidate është Estela Radonjić Zivkov, ish-zëvendësdrejtoreshë e Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës. Konsulenti politik Radivoje Grujiç tha për Reuters se pasiguria kryesore lidhet me mënyrën se si lëvizja do ta ushtrojë pushtetin.
“Pasiguria më e madhe lidhet me atë se kush do ta drejtojë qeverinë, kush do të jenë ministrat kryesorë dhe si do t'i përmbushin premtimet për luftën kundër korrupsionit, rikthimin e shtetit të së drejtës dhe ripërcaktimin e pozicionit të Serbisë në politikën e jashtme”, deklaroi ai.

Reforma institucionale dhe largimi i zyrtarëve të administratës së mëparshme
Sipas profesoreshës Krstiç, një nga objektivat kryesore të lëvizjes studentore do të jetë rikthimi i funksionimit të pavarur të institucioneve dhe forcimi i besimit të qytetarëve te demokracia.
Ajo përmendi veçanërisht sistemin gjyqësor, median dhe arsimin si sektorë ku qeveria e ardhshme pritet të ndërmarrë ndryshime.
“Qëllimi kryesor i lëvizjes do të jetë rikthimi i institucioneve nën kontrollin e ligjit dhe rivendosja e besimit te demokracia, drejtësia, media dhe sistemi arsimor”, tha Krstiç.
Një tjetër çështje që pritet të marrë vëmendje është largimi i zyrtarëve të lidhur me administratën e mëparshme nga pozicionet drejtuese.
Krstiç e krahasoi këtë proces të mundshëm me ndryshimet institucionale në Hungari, pas përfundimit të qeverisjes 16-vjeçare të Viktor Orbánit në zgjedhjet e këtij viti.
“Kjo është ajo që kërkojnë studentët. Largimi i njerëzve të regjimit të mëparshëm do të jetë një nga përparësitë e tyre. Por kjo nuk mund të ndodhë brenda natës. Pas 14 vitesh qeverisjeje të fortë, procesi do të jetë i ndërlikuar”, theksoi ajo.
Politika e jashtme, një nga sfidat kryesore
Ndërsa programi i brendshëm i Listës Studentore përqendrohet te lufta kundër korrupsionit dhe reforma institucionale, qëndrimet e saj në politikën e jashtme mbeten më pak të qarta.
Fushata zgjedhore u zhvillua pothuajse tërësisht rreth problemeve të brendshme të Serbisë, duke lënë në plan të dytë marrëdhëniet me fuqitë ndërkombëtare.
Qeveria e ardhshme do të trashëgojë një politikë të jashtme të ndërtuar mbi ruajtjen e marrëdhënieve me Rusinë, bashkëpunimin ekonomik me Kinën dhe përpjekjet për integrim në Bashkimin Evropian.
Gjatë qeverisjes së tij, Vuçiçi mbajti lidhje të ngushta me Moskën, nxiti investimet kineze dhe, njëkohësisht, vazhdoi dialogun me vendet perëndimore për perspektivën evropiane të Serbisë.
Mbetet e paqartë nëse administrata e re do ta ruajë këtë qasje apo do të ndërmarrë ndryshime në orientimin diplomatik të Beogradit.

Moska paralajmëron për rëndësinë e marrëdhënieve me Serbinë
Rusia reagoi ndaj rezultatit zgjedhor duke vlerësuar Vuçiçin si një aleat të hershëm në Ballkan dhe duke shprehur pritshmëritë e saj për bashkëpunimin me udhëheqjen e ardhshme serbe.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se Moska shpreson që forcat e reja politike ta kuptojnë rëndësinë e marrëdhënieve me Rusinë, veçanërisht në sektorin energjetik, ku Serbia përfiton furnizime me çmime të favorshme.
“Sa i përket forcës së re politike që do të vijë në pushtet si rezultat i zgjedhjeve, shpresojmë që veprimet e saj të synojnë zhvillimin e mëtejshëm konstruktiv të marrëdhënieve dhe që këto forca ta kuptojnë se bashkëpunimi me Rusinë është në interes të Serbisë, sepse i sjell përfitime vendit”, deklaroi Peskov.
Ai shtoi se Moska synon të vazhdojë përpjekjet për forcimin e marrëdhënieve me Beogradin, por theksoi se bashkëpunimi kërkon angazhimin e të dyja palëve.
“Ne do të vazhdojmë të bëjmë gjithçka që mundemi për zhvillimin e marrëdhënieve tona me Beogradin. Por, siç e dini, për të kërcyer tango duhen dy veta”, u shpreh zëdhënësi i Kremlinit.
Fitorja e Listës Studentore shënon një ndryshim të rëndësishëm në politikën serbe. Megjithatë, formimi i qeverisë, përzgjedhja e drejtuesve të saj dhe përcaktimi i politikës së jashtme do të jenë çështjet e para që shumica e re parlamentare duhet të zgjidhë. /Përshtati Pamfleti nga The Telegraph/
Artikuj të ngjashëm

Zgjedhjet në Serbi, Mehmeti: Shqiptarët janë në pritje të deputetit të tretë


