Fehlinger i kundërpërgjigjet Vuçiqit: Më sfidove në debat televiziv, e pranova, tani po tërhiqesh

Aktivisti austriak Günther Fehlinger-Jahn i është kundërpërgjigjur presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duke e akuzuar se po e përmend vazhdimisht në tubime politike, por po tërhiqet nga përballja në një debat televiziv.
Përmes një reagimi në rrjetin social X, Fehlinger ka thënë se Vuçiqi, në përpjekje për të siguruar mbështetje politike, ka zgjedhur ta shënjestrojë atë në fjalimet e tij publike.
“Imagjinoni të jeni president i Serbisë. Po luftoni për mbijetesën tuaj politike, jeni në skenë në një tubim dhe, nga të gjithë njerëzit që mund t’i shënjestroni për të fituar vota, zgjidhni pikërisht mua, Günther Fehlinger”, ka shkruar ai.
Fehlinger ka theksuar se nuk kanë qenë studentët ata që e kanë zgjedhur si kundërshtar të Vuçiqit, por vetë presidenti serb.
Ai ka bërë të ditur se Vuçiqi e ka sfiduar për një debat televiziv, të cilin ai e ka pranuar, ndërsa pretendon se presidenti serb tashmë po tërhiqet nga kjo përballje.
“Ti më sfidove për një debat televiziv, unë e pranova, ndërsa tani po tërhiqesh. E megjithatë, ende nuk mund të ndalesh së foluri për mua”, ka deklaruar Fehlinger.
Në fund, ai i ka bërë thirrje Vuçiqit që të mos merret më me të në fjalimet e tij, por të përballet drejtpërdrejt në debat.
“Nëse ke kohë të flasësh për mua në tubimet e tua, ke kohë edhe të debatosh me mua. Mos fol më për mua. Fillo të flasësh me mua”, ka përfunduar Fehlinger.
Reagimi i tij vjen në një periudhë të tensionuar politike në Serbi, ku lëvizja studentore dhe protestat kundër pushtetit të Vuçiqit kanë vënë në qendër të debatit publik të ardhmen politike të vendit.



