Inxhinieri shqiptar i zhdukur pas goditjes së anijes turke nga tre dronë ukrainas! Familja apel për ndihmë

Një inxhinier shqiptar rezulton i zhdukur pasi anija turke “Aroyat” u përfshi nga flakët pranë Novorossiysk-ut, pas një sulmi të dyshuar nga tre dronë ukrainas.
Zjarri shpërtheu në anijen "Aroyat", e cila raportohet se u sulmua pranë Novorossiysk-ut. Familja e inxhinierit të dytë të zhdukur, Erkan Nika, ka bërë thirrje për ndihmë për gjetjen e detarit.
Forcat e Armatosura të Ukrainës akuzohen se kanë kryer një sulm ndaj një anijeje transporti mallrash me shumicë në pronësi të një kompanie turke, sulm që çoi në zhdukjen e detarit shqiptar.
Anija "Aroyat", që lundron nën flamurin e Palaus dhe operohet nga kompani turke, raportohet se u sulmua në Detin e Zi më 27 shtator 2026. Që nga momenti i sulmit, nuk ka pasur asnjë lajm për Erkan Nikën, i cili shërbente si inxhinier i dytë në bord.
"The Maritime Executive" raportoi se incidenti ndodhi pranë portit rus të Novorossiysk-ut, duke vënë në dukje se pretendimi se sulmi u krye nga forcat ukrainase nuk është konfirmuar me ndonjë deklaratë zyrtare.
Zjarri u përhap në zonat e banimit
Raportohet se një objekt, që besohet të jetë një mjet ajror pa pilot goditi "Aroyat"-in, anije me kapacitet ngarkese prej 18,315 tonësh. Pas sulmit, një zjarr shpërtheu në pjesën e pasme dhe në zonat e banimit të anijes, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në strukturën e sipërme.
Sipas raportit të incidentit nga "VesselTracker" të datës 29 shtator, anija u vu në shënjestër nga tre dronë dhe një detar egjiptian pësoi djegie. Nuk ka pasur konfirmim zyrtar lidhur me këto detaje. Ekuipazhi raportohet se përbëhet nga 16 anëtarë, përfshirë shtatë egjiptianë, gjashtë sirianë dhe tre turq, njëri prej tyre shqiptaro-turku
"Nuk është mes ekuipazhit të shpëtuar"
Vëllai i Erkan Nikës, Erizon Nika, deklaroi në një postim në rrjetet sociale se vëllai i tij nuk ishte mes ekuipazhit të shpëtuar dhe se ata nuk kanë marrë asnjë informacion mbi gjendjen e tij shëndetësore.
Familja ka marrë në konsideratë edhe mundësinë që Erkan Nika të ndodhet diku në Rusi dhe ka bërë thirrje për ndihmë drejtuar personave që kanë lidhje me autoritetet portuale, njësitë e rojes bregdetare, spitalet dhe ekipet e shpëtimit në Novorossiysk. Ata u kanë bërë thirrje të gjithë atyre që e kanë parë detarin ose kanë informacione për ekuipazhin e shpëtuar, që të kontaktojnë familjen.
Pritet të sillet në Stamboll për kontroll
Sipas një deklarate të familjes, të raportuar nga disa burime lajmesh, planifikohet që anija "Aroyat" të tërhiqet drejt Stambollit, ku pas mbërritjes do të kryhet një kontroll i plotë i saj.
Familja pret që të gjitha pjesët e anijes të kontrollohen me imtësi dhe që përparësi t'i jepet kërkimit për Erkan Nikën. Ende nuk ka informacione të konfirmuara nëse anija ka mbërritur në Stamboll apo se ku ka ankoruar.

Ndërsa disa publikime sugjerojnë se ka pasur viktima në mesin e ekuipazhit, raporte të tjera tregojnë se nuk ka pasur viktima. Megjithatë, familja e Erkan Nikës raporton se detari rezulton i zhdukur. Duke qenë se nuk ka pasur asnjë deklaratë zyrtare, pretendimet lidhur me viktimat mbeten të pakonfirmuara.
Anija "Aroyat", e cila raportohet se operohet nga kompania "Kiva Marine" me bazë në Stamboll, ishte ndër anijet e para tregtare që përdori korridorin e përkohshëm detar të Ukrainës në vitin 2023. Anija mori pjesë në rifillimin e eksporteve të grurit nga porti i Chornomorsk-ut pas përfundimit të Iniciativës së Grurit të Detit të Zi.



