Kalo te përmbajtja / Skip to content
Rajon

Komandanti i FSK-së në SHBA, riafirmohet mbështetja amerikane për tranzicionin e ushtrisë

AutoktonPublikuar më 16.10.2026Përditësuar më 16.10.2026Lexim prej 1 minutash

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), gjenerallejtënant Bashkim Jashari, po qëndron në një vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku ka zhvilluar takime me zyrtarë të lartë të mbrojtjes dhe përfaqësues të Gardës Kombëtare të Ajovës.

Gjatë vizitës, delegacioni i FSK-së, i udhëhequr nga Jashari, mori pjesë në panairin vjetor të industrisë së mbrojtjes “AUSA Annual Meeting & Exposition”, që u mbajt në Uashington D.C. Ky aktivitet, ku morën pjesë mbi 700 ekspozues dhe përfaqësues nga më shumë se 100 shtete, shërbeu për t’u njohur me teknologjitë më të fundit ushtarake, me synim modernizimin dhe ngritjen e kapaciteteve operacionale të FSK-së.

Në kuadër të vizitës, Jashari zhvilloi takim në Pentagon me zëvendësndihmëssekretarin e Luftës për Luftë Jokonvencionale, Colby C. Jenkins. Gjatë takimit u diskutuan çështje të sigurisë dhe bashkëpunimit dypalësh në fushën e operacioneve speciale dhe fusha të tjera.

Reklamë

Sipas njoftimit, gjatë takimit u riafirmua mbështetja e Shteteve të Bashkuara për planin e tranzicionit të FSK-së, zhvillimin profesional të saj dhe kontributin e Kosovës në sigurinë globale.

Po ashtu, komandanti Jashari u takua me delegacionin e Gardës Kombëtare të Ajovës, të udhëhequr nga gjeneral brigade Charles H. Lampe.

Në këtë takim u diskutuan rezultatet e bashkëpunimit të deritanishëm ndërmjet FSK-së dhe Gardës Kombëtare të Ajovës, si dhe plani i bashkëpunimit për pesë vitet e ardhshme.

Artikuj të ngjashëm

Reklamë