Kalo te përmbajtja / Skip to content
Rajon

Krimi i trefishtë në Mal të Zi, autori vetëvritet pasi hap zjarr ndaj policisë

AutoktonPublikuar më 1.9.2026Përditësuar më 26.9.2026Lexim prej 8 minutash

Tre persona humbën jetën nga të shtënat në një poligon qitjeje në Mal të Zi, ndërsa i dyshuari për vrasjet qëlloi veten pasi u rrethua nga policia në Herceg Novi.

Tre persona u vranë me armë zjarri në një poligon qitjeje në Danilovgrad të Malit të Zi, çka çoi në një operacion të gjerë policor për kapjen e autorit të dyshuar. Kërkimet përfunduan rreth orës 03:35 në një pyll mbi lagjen Topla të Herceg Novit, ku policia lokalizoi Mikhail Shabunin, 30 vjeç, shtetas rus.

Sipas Policisë së Malit të Zi, kur u rrethua nga forcat e sigurisë, Shabunin hapi zjarr ndaj efektivëve dhe më pas qëlloi veten me armë në kokë.

“Pasi i dyshuari u rrethua dhe u gjend në një situatë pa rrugëdalje, ai hapi zjarr në drejtim të punonjësve të policisë dhe më pas kreu vetëvrasje duke përdorur armë zjarri”, deklaroi drejtori i Policisë së Malit të Zi, Lazar Šćepanović.

Autori dyshohet se vrau Nemanja Kapor, 20 vjeç, nga Podgorica, bashkëqytetarin e tij Petar Globarević, 24 vjeç, dhe Momir Radonjić, 67 vjeç, nga Danilovgradi. Të tre viktimat punonin në poligonin “Češka zbrojevka”.

Sipas “Vijesti”, pak para orës 17:00 Shabunin qëlloi disa herë ndaj instruktorit Globarević në zonën e qitjes dhe më pas e qëlloi në kokë. Më pas, 30-vjeçari u kthye në pjesën e objektit për dhënien me qira të armëve, ku vrau Radonjićin dhe më pas vrau 20-vjeçarin Kapori.

Bëhet me dije se ndaj të tre viktimave u qëllua disa herë, ndërsa pronari i poligonit i mbijetoi sulmit. Sipas gazetës, në momentin e ngjarjes ai po flinte në një nga ambientet e objektit.

Një burim nga hetimet tha gjithashtu se Shabunin ishte parë duke përdorur dy armë njëkohësisht, nga një në secilën dorë. Megjithatë, burimi nuk sqaroi nëse ai kishte vepruar në këtë mënyrë gjatë vrasjeve apo nëse kamerat e sigurisë e kishin regjistruar më herët gjatë ushtrimeve në poligon.

Drejtori i Policisë, Lazar Šćepanović, tha se i dyshuari kishte qenë në të njëjtin poligon edhe gjatë ditëve të mëparshme. Sipas tij, vrasja e trefishtë ndodhi rreth orës 16:45, pasi Shabunin kishte përfunduar qitjen.

“Pasi kreu qitjen në poligon, ai hyri në objekt dhe vrau tre persona. Pas kësaj përdori automjetin e njërit prej viktimave dhe u largua në drejtim të panjohur”, u shpreh Šćepanović.

Policia paralajmëroi që në orët e para të kërkimit se bëhej fjalë për një person të armatosur dhe të rrezikshëm.

“Bëhet fjalë për një person të rrezikshëm, i cili ka marrë me vete një sasi municioni dhe armë zjarri. Ai përbën rrezik potencial dhe kërcënim aktiv. Të gjitha kapacitetet e Policisë janë vënë në dispozicion”, deklaroi Šćepanović.

Ai bëri të ditur se autoritetet kishin vendosur kontrolle në qytete, pika kufitare dhe aeroporte.

“Do të bëjmë gjithçka për ta vënë këtë person nën kontroll dhe për të përcaktuar motivin dhe arsyen përse e kreu këtë vrasje të rëndë”, tha drejtori i Policisë gjatë operacionit.

Pas vrasjeve, Shabunin dyshohet se mori një automjet të zi “Seat Cordoba”, me targa PG-AC472, dhe u largua drejt zonës pranë Podgoricës.

Krimi i trefishtë në Mal të Zi, autori vetëvritet pasi hap

Sipas “Vijesti”, përpara largimit ai mori nga poligoni disa armë dhe një sasi municioni.

Policia u bëri thirrje qytetarëve të qëndronin në banesa dhe të tregoheshin të kujdesshëm në kontaktet me persona të panjohur.

“Qytetarët duhet të jenë të kujdesshëm në komunikimin me persona të panjohur dhe çdo sjellje të dyshimtë ta raportojnë në stacionin më të afërt të policisë”, njoftuan autoritetet.

Policia bëri të ditur se në kërkim ishin angazhuar Njësia Speciale dhe njësi të tjera policore, ndërsa ishin vendosur bllokada në zona të disa qyteteve.

“Po ndërmerren të gjitha masat dhe veprimet e nevojshme, në koordinim me prokurorinë kompetente, për identifikimin dhe gjetjen e autorit, si dhe për zbardhjen e ngjarjes”, deklaroi Policia e Malit të Zi.

Autoritetet publikuan edhe fotografitë e Shabuninit. Njëra prej tyre ishte marrë nga kamerat e sigurisë së poligonit dhe e tregonte atë me kapele dhe bluzë me ngjyrë të çelët. Ndërsa ditën e djeshme, ai kishte veshur edhe pantallona blu.

Pas publikimit të fotografive, policia mori disa telefonata nga qytetarë që pretendonin se e kishin parë Shabuninin gjatë ditëve të mëparshme në territorin e Danilovgradit.

Disa prej tyre raportuan se e kishin parë një ditë para vrasjeve në brigjet e lumit Zeta. Banorë të zonës së Pješivcit thanë gjithashtu se 30-vjeçari dyshohet se kishte bërë ecje në zonat malore.

Šćepanović deklaroi se, sipas informacioneve të qytetarëve, Shabunin ishte parë të dielën në zonën e lumit Zeta dhe në disa objekte.

Policia konstatoi se ai kishte ardhur në Mal të Zi me autobus dhe se kishte qëndruar në vend edhe më parë.

“Nuk figuron në evidencat tona. Kemi disa informacione për vendet ku ka qëndruar”, deklaroi Šćepanović.

Në vijim të kërkimeve, policia, në koordinim me Agjencinë e Sigurisë Kombëtare të Malit të Zi (ANB), përcaktoi se Shabunin ndodhej në Herceg Novi.

Automjeti me të cilin ishte larguar nga poligoni u gjet në Rogami. Hetuesit më pas siguruan informacion se i dyshuari kishte marrë një taksi dhe kishte udhëtuar drejt qytetit bregdetar të Herceg Novit.

Sipas “Vijesti”, pasi mbërriti në destinacion, Shabunin nuk kishte para për të paguar udhëtimin. Për këtë arsye, shoferi i taksisë i mori pasaportën dhe telefonin celular.

Policia konfirmoi më vonë se provat e mbledhura tregonin se i dyshuari ndodhej në territorin e komunës së Herceg Novit.

“Për këtë arsye, në këtë zonë janë angazhuar forca të shumta policore, përfshirë pjesëtarë të Qendrës Rajonale të Sigurisë ‘Jug’, Njësisë së Posaçme të Policisë dhe Njësisë Speciale të Policisë”, njoftuan autoritetet.

Operacioni u mbështet edhe nga një helikopter i Ushtrisë së Malit të Zi, i përdorur për transportimin e forcave speciale, si dhe nga pajisje të specializuara teknike.

Policia u bëri thirrje banorëve të Herceg Novit të tregoheshin veçanërisht të kujdesshëm dhe të raportonin menjëherë çdo informacion të saktë që mund të ndihmonte në lokalizimin e të dyshuarit.

Operacioni për lokalizimin e Shabuninit përfundoi rreth orës 03:35.

“Sot, rreth orës 03:35 pas mesnate, pjesëtarët e Njësisë Speciale të Policisë, Njësisë së Posaçme të Policisë, Qendrës Rajonale të Sigurisë ‘Jug’ dhe Sektorit të Policisë Kufitare, me përdorimin e pajisjeve të specializuara dhe një helikopteri të Ushtrisë së Malit të Zi, lokalizuan dhe izoluan në pyllin mbi lagjen Topla në Herceg Novi kërcënimin aktiv – të dyshuarin për vrasjen e trefishtë, Mikhail Nikolaevich Shabunin, 30 vjeç, shtetas i Federatës Ruse”, deklaroi Šćepanović.

Sipas tij, Shabunin qëlloi ndaj policisë pasi u rrethua.

“Pasi i dyshuari u rrethua dhe u gjend në një situatë pa rrugëdalje, ai hapi zjarr në drejtim të punonjësve të policisë dhe më pas kreu vetëvrasje duke përdorur armë zjarri”, tha drejtori i Policisë.

Šćepanović bëri të ditur se hetimet vazhdojnë në bashkëpunim me Prokurorinë e Lartë të Shtetit në Podgoricë.

“Punonjësit e Policisë vazhdojnë aktivitetet në bashkëpunim me Prokurorinë e Lartë të Shtetit në Podgoricë, me qëllim përcaktimin e të gjitha rrethanave të kësaj ngjarjeje, përfshirë shkakun dhe motivin e saj, si dhe zbardhjen e plotë të gjithë situatës”, deklaroi ai.

Mali i Zi shpall 1 dhe 2 shtatorin ditë zie

Qeveria e Malit të Zi shpalli 1 dhe 2 shtatorin ditë zie për shkak të vrasjes së trefishtë në Danilovgrad.

Kryeministri Milojko Spajić shprehu ngushëllimet për familjet e Petar Globarevićit, Momir Radonjićit dhe Nemanja Kaporit.

“Jam thellësisht i tronditur nga tragjedia e sotme në Danilovgrad, ku humbën jetën punonjësit e poligonit ‘Češka zbrojevka’, Petar Globarević, Momir Radonjić dhe Nemanja Kapor. Në këtë moment të vështirë, familjeve dhe miqve të tyre u shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta”, deklaroi Spajić.

Ai njoftoi se kishte komunikuar me ministrin e Brendshëm, Danilo Šaranović, dhe drejtorin e Policisë, Lazar Šćepanović, të cilët e kishin siguruar se institucionet po përdornin të gjitha kapacitetet për zbardhjen e ngjarjes.

“Për shkak të tragjedisë së sotme, Qeveria do të marrë vendim që 1 dhe 2 shtatori të shpallen ditë zie, ndërsa fillimi i vitit shkollor në Danilovgrad do të shtyhet për të enjten, më 3 shtator”, tha kryeministri.

Ngushëllime për familjet e viktimave shprehën gjithashtu kryetari i Kuvendit Andrija Mandić, zëvendëskryeministri Aleksa Bečić, ministri i Brendshëm Danilo Šaranović dhe kryetari i komunës së Danilovgradit Aleksandar Grgurović.

Krimi i trefishtë në Mal të Zi, autori vetëvritet pasi hap

Gjatë kohës kur Shabunin ishte ende në arrati, Bečić dhe Šaranović deklaruan se kërkimi po zhvillohej me nivelin më të lartë të gatishmërisë operative dhe të sigurisë.

“Asnjë kapacitet i disponueshëm i shtetit nuk do të mbetet pa u angazhuar për sa kohë ekziston mundësia që një person i armatosur të jetë i lirë”, thuhej në deklaratën e tyre.

Sipas “Vijesti”, Shabunin, me origjinë nga ish-rajoni i Permit në Rusi, kishte kaluar tetë herë kufirin shtetëror të Malit të Zi brenda gjashtë ditësh, nga 7 deri më 12 korrik. Në të gjitha rastet kishte udhëtuar me autobus.

Më 7 korrik ai hyri në Mal të Zi përmes pikës kufitare Dobrakovo. Më pas regjistroi hyrje dhe dalje edhe në pikat kufitare Sitnica, Šćepan Polje dhe Vraćenovići.

Hyrjen e fundit në Mal të Zi, Shabunin e kishte bërë më 12 korrik në pikën kufitare Vraćenovići, sërish me autobus.

Autoritetet malazeze nuk kanë bërë ende të ditur motivin e vrasjes së trefishtë. Policia dhe Prokuroria e Lartë e Shtetit në Podgoricë po vazhdojnë hetimet për të përcaktuar shkakun, motivin dhe të gjitha rrethanat e ngjarjes.

Burimi: /pamfleti.net/

Artikuj të ngjashëm