Mediat serbe: Trump po përgatit “skenarin kosovar” për Ukrainën

Plani i administratës së presidentit amerikan Donald Trump për ndalimin e luftës në Ukrainë mund të ndjekë logjikën e “skenarit kosovar”, vlerëson profesori i Fakultetit të Shkencave Politike në Beograd, Stefan Surliq. Megjithatë, ai pranon se Kosova nuk mund të barazohet juridikisht me rajonet ukrainase të aneksuara nga Rusia.
Në një tekst autorial për agjencinë shtetërore serbe Tanjug, të ribotuar nga e përjavshmja NIN, Surliq shkruan se një marrëveshje e mundshme do ta linte Rusinë me kontrollin faktik mbi territoret e pushtuara. Ukraina nuk do ta njihte ndryshimin e kufijve, por do të zotohej ta zgjidhte mosmarrëveshjen me mjete paqësore.
Megjithatë, analisti serb thekson se analogjia ka një kufi të qartë juridik. Sipas tij, Kosova nuk iu bashkëngjit një shteti fqinj, ndërsa Rusia shpalli aneksimin e rajoneve ukrainase. Ai kujton se Asambleja e Përgjithshme e OKB-së e ka dënuar këtë aneksim dhe u ka kërkuar shteteve të mos e njohin.
Surliq vlerëson se pengesa më e madhe janë kërkesat ruse. Sipas raportimeve të Reuters, Moska kërkon tërë rajonin e Donjeckut, përfshirë pjesët që ushtria e saj nuk i ka pushtuar, si dhe përjashtimin e Ukrainës nga NATO.
Ai thekson gjithashtu se në Kosovë paqja ruhet që nga viti 1999 nga KFOR-i me mandat të Këshillit të Sigurimit, ndërsa një mision i ngjashëm për Ukrainën do të kërkonte pëlqimin e Rusisë.
Teksti publikohet në kohën kur i dërguari amerikan Steve Witkoff ka zhvilluar takime me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky dhe atë rus Vladimir Putin. Takimi i ekipeve negociuese të Ukrainës, SHBA-së dhe Rusisë pritet në gjysmën e parë të nëntorit.



