Kalo te përmbajtja / Skip to content
Rajon

Paneli i Gjykatës së Apelit merr vendim për kërkesën e Mbrojtjes së ish-krerëve në Hagë

AutoktonPublikuar më 30.9.2026Përditësuar më 30.9.2026Lexim prej 4 minutash

Më 29 shtator, Paneli i Gjykatës së Apelit miratoi pjesërisht kërkesën e Mbrojtjes për zgjatjen e afatit për dorëzimin e njoftimeve për apel kundër Aktgjykimit të Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Paneli miratoi të njëjtën zgjatje afati edhe për ZPS-në dhe kishte caktuar datën 27 nëntor për dorëzimin e njoftimeve për apel nga ekipet e Mbrojtjes dhe nga ZPS-ja.

Në një vendim tjetër të lëshuar sot, Paneli i Apelit miratoi modalitetet për pjesëmarrjen e viktimave në procesin e apelit, në të cilin vendosi që të zbatohet një praktikë e ngjashme me atë që u zbatua gjatë gjykimit në shkallë të parë, me përshtatjet e nevojshme.

Paneli i Apelit i Dhomave të Specializuara ka përcaktuar mënyrën se si viktimat pjesëmarrëse do të mund të marrin pjesë në procedurat e apelit, duke theksuar se pjesëmarrja e tyre duhet të jetë në përputhje me Ligjin dhe Rregulloren, të kufizohet në çështjet që prekin interesat e tyre personale dhe të mos cenojë të drejtat e të akuzuarit, në rastin Thaçi dhe të tjerët.

Sipas vendimit, pjesëmarrja e viktimave në procedurat e apelit lejohet pavarësisht nëse Mbrojtësi i Viktimave paraqet apo jo ankesë në bazë të nenit 46(9) të Ligjit.

Sipas njoftimit të DhSK-së, Paneli ka vlerësuar se, duke pasur parasysh mënyrën se si viktimat kanë marrë pjesë gjatë gjykimit dhe nevojën për koherencë procedurale, është në interes të drejtësisë që një regjim i ngjashëm të zbatohet edhe në fazën e apelit, me përshtatjet e nevojshme.

Megjithatë, të drejtat e viktimave në këtë fazë do të kufizohen vetëm në çështjet që janë para Panelit të Apelit dhe që lidhen me bazat e ankesave të paraqitura.

Cilat janë interesat dhe të drejtat e viktimave?

Paneli rikujton se, sipas nenit 22 të Ligjit, interesat dhe të drejtat personale të viktimave pjesëmarrëse përfshijnë njoftimin, njohjen e statusit dhe të drejtën për reparacion.

Po ashtu, në bazë të nenit 23 të Ligjit, pjesë e këtyre të drejtave është edhe mbrojtja e sigurisë, mirëqenies fizike dhe psikologjike, dinjitetit dhe privatësisë së viktimave.

Paneli ka theksuar se viktimat nuk mund të marrin pjesë drejtpërdrejt në procedurat e apelit dhe se ato mund të përfaqësohen vetëm përmes Mbrojtësit të Viktimave.

Mbrojtësi i Viktimave do të ketë qasje në dosjen e çështjes

Sipas vendimit, Mbrojtësi i Viktimave do të vazhdojë të ketë qasje në të gjithë dosjen e çështjes, përfshirë materialet publike, konfidenciale dhe rreptësisht konfidenciale, si dhe transkriptet dhe materialet provuese.

Bazuar në njoftim, përjashtim bëjnë materialet që janë të klasifikuara si komunikime ose procedura ex parte të Mbrojtësit të Viktimave.

Dini Dent 300×250
Mbrojtësi i Viktimave do të njoftohet gjithashtu për materialet e zbuluara ose të shpërndara në dosje dhe do të vazhdojë t’i informojë viktimat pjesëmarrëse për zhvillimet relevante të çështjes, duke respektuar kufizimet që lidhen me informacionet jo publike.

Prani në të gjitha seancat e apelit

Paneli ka vendosur që Mbrojtësi i Viktimave të njoftohet dhe të jetë i pranishëm në të gjitha seancat e apelit, qofshin ato publike, private apo të mbyllura.

Përjashtim bëjnë seancat ex parte të Mbrojtësit të Viktimave.

Gjithashtu, Mbrojtësi i Viktimave mund t’i kërkojë Panelit mbajtjen e një seance ex parte për të adresuar çështje të caktuara.

Mund të paraqiten parashtresa pa leje paraprake

Paneli ka përcaktuar se, brenda kufijve të nenit 22(6) të Ligjit dhe Rregullës 114(4), Mbrojtësi i Viktimave mund të paraqesë, pa kërkuar paraprakisht leje nga Paneli, parashtresa me shkrim dhe me gojë për çështje juridike ose faktike.

Ai mund të paraqesë gjithashtu përgjigje dhe kundërpërgjigje ndaj parashtresave të bëra para Panelit, përfshirë edhe ankesat dhe parashtresat e tjera të palëve.

Megjithatë, Paneli ka paralajmëruar se në çdo parashtresë duhet të shpjegohet qartë lidhja e saj me interesat personale të viktimave pjesëmarrëse.

Nëse kjo lidhje nuk dëshmohet në mënyrë të mjaftueshme, parashtresa mund të hidhet poshtë në mënyrë të përmbledhur.

Mbrojtësi i Viktimave duhet të respektojë edhe afatet, kufizimet e numrit të fjalëve dhe kërkesat e tjera formale të përcaktuara në Rregullore dhe në Udhëzimin Praktik për Dosjet dhe Parashtrimet.

aneli ka bërë të ditur se vendimi nuk përcakton të gjitha situatat që mund të paraqiten gjatë procedurave të apelit. Nëse lind nevoja për rregulla apo udhëzime shtesë, Paneli mund t’i përcaktojë ato më vonë, me kërkesë të palëve ose pjesëmarrësve në procedurë, apo me iniciativën e vet.

Artikuj të ngjashëm