Rama-Vuçiç bëhen bashkë për të destabilizuar Malin e Zi, plasin akuzat nga kryeministri Spajiç ndaj binomit Tiranë-Beograd

Media malazeze ‘Vijesti’ ka ngritur pretendime që Shqipëria dhe Serbia janë dy vendet për të cilat kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajiç, kishte parasysh kur një ditë më parë paralajmëroi për një veprimtari të koordinuar hibride që synon destabilizimin e vendit të tij.
"Kemi informacione serioze operative të sigurisë se mbyllja e paralajmëruar e kapitujve të rinj të negociatave do të shoqërohet me veprimtari të koordinuara hibride, ku janë të përfshirë zyrtarë të të paktën dy shteteve të rajonit. Sipas informacioneve tona, këto aktivitete synojnë destabilizimin e Malit të Zi, me mbështetjen e pritshme të disa aktorëve politikë dhe një pjese të skenës mediatike në vendin tonë.
Ne jemi në dijeni të këtyre synimeve dhe e dimë se cili është qëllimi i tyre. Përpjekjet për destabilizim nuk do ta ndryshojnë kursin tonë dhe nuk do ta ndalin rrugën evropiane të Malit të Zi, e cila është më e madhe se interesi i përditshëm i çdo strukture politike" tha Spahiç, duke mos përmendur asnjë emër.
Media malazeze ‘Vijesti’ raportoi me bujë se vendet të cilave po u referohej Spahiç ishin pikërisht Shqipëria dhe Serbia. Serbia dhe Shqipëria janë dy shtetet për të cilat kryeministri Milojko Spajiç (Lëvizja Evropa Tani) mendonte në postimin e tij në rrjetin social ‘Iks’, në të cilin foli për veprimtari hibride”, mëson “Vijesti” nga disa burime" shkruan gazeta në raportimin e saj.
Reagimet
Lajmi bëri bujë në rrjet. Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi i cilësoi raportimet 'jashtëzakonisht serioze' dhe i bëri thirrje qeverisë t'i përgënjeshtrojë. “Është e papranueshme që Shqipëria të lejojë të krijohet qoftë edhe përshtypja se mund të jetë pjesë e ndonjë skenari të koordinuar me Serbinë për destabilizimin e Malit të Zi. Shqipëria nuk është dhe nuk duhet të bëhet instrument i askujt në rajon”, shprehet Bardhi.
Kjo soll reagimin e ministrit të jashtëm Ferit Hoxha që mohoi që Shqipëria të jetë pjesë e ndonjë skenari destabilizues në rajon. "Shqipëria as nuk është dhe as nuk mund të jetë pjesë e ndonjë skenari destabilizues, as në Malin e Zi, vend fqinj, mik, partner dhe aleat në NATO, me të cilin ndajmë të njëjtin projekt të anëtarësimit në BE, dhe as askund tjetër.
Shqipëria dallohet pikërisht sepse bën të kundërtën: investon çdo ditë në bashkëpunim, mirëkuptim të ndërsjellë, stabilitet dhe zhvillim rajonal, si edhe në bashkëpunimin më të gjerë evropian dhe euroatlantik. Spekulimet, interpretimet mediatike apo debatet e brendshme politike të një vendi fqinj nuk mund dhe nuk duhet të prodhojnë artificialisht probleme mes dy vendeve tona " tha ai.
Mbledhja
Ndërkohë, presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviç, ka thirrur për të hënën një mbledhje urgjente të Këshillit për Mbrojtje dhe Siguri ku sipas 'Vijesti' do kërkohen informacione të detajuara nga drejtuesit e sektorit të sigurisë për pretendimet e Spajiçit dhe një vlerësim i plotë i situatës së sigurisë në vend.
Deputeti i Partisë Popullore Demokratike (DNP), Vladislav Bojoviç, nga ana tjetër i ka komentuar deklaratat e kryeministrit malazez si shenjë pafuqie dhe paniku para zgjedhjeve të ardhshme dhe një justifikim për mosmbajtjen e premtimeve.
“Nëse një përfaqësues i kësaj qeverie, të udhëhequr nga Kryeministri, ka informacion, që dikush po punon kundër shtetit, ata duhet t’i kallëzojnë penalisht dhe t’i arrestojnë e jo të bëjnë ankande nëpër media,” tha Bojoviç duke akuzuar qeverinë se ka dorëzuar kontrollin e Agjencisë Kombëtare të Sigurisë shërbimit inteligjent kroat.



