Revolta studentore/ Eurodeputetja gjermane: Shkaktari është Edi Rama! BE të dënojë dhunën

Eurodeputetja gjermane, Anna Strolenberg, ka reaguar lidhur me protestat studentore në Shqipëri, duke kritikuar ashpër kryeministrin Edi Rama dhe duke i bërë thirrje Bashkimit Evropian dhe vendeve anëtare të dënojnë dhunën e raportuar gjatë tubimeve.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Strolenberg është shprehur e shqetësuar nga pamjet që, sipas saj, tregojnë përdorimin e forcës nga policia ndaj protestuesve.
Eurodeputetja ka drejtuar akuza ndaj kryeministrit Edi Rama, të cilin e konsideron përgjegjësin kryesor për situatën e krijuar në vend.
“Përfundimi im, megjithatë, është i qartë, Edi Rama është shkaku i gjithë kësaj”, shprehet ajo, duke e akuzuar kreun e qeverisë për qëndrim arrogant ndaj protestuesve paqësorë të Flamingos.
Në reagimin e saj, Strolenberg ka ngritur gjithashtu shqetësime lidhur me luftën kundër korrupsionit dhe mungesën, sipas saj, të reformave të rëndësishme në Shqipëri.
Strolenberg ka theksuar se mbështet anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, por ka nënvizuar se përparimi drejt integrimit duhet të shoqërohet me garantimin dhe respektimin e të drejtave themelore të qytetarëve.
Në përfundim, eurodeputetja ka kërkuar që Bashkimi Evropian dhe shtetet anëtare të ushtrojnë presion ndaj autoriteteve shqiptare për situatën e krijuar gjatë protestave.
"Protestat në Shqipëri po shndërrohen në të dhunshme. Kam parë shumë, shumë video shqetësuese të policisë duke përdorur forcë brutale, duke ushtruar dhunë fizike dhe duke hedhur gaz lotsjellës. Fatkeqësisht, kam parë gjithashtu disa video ku persona të dhunshëm u vënë flakën ndërtesave.
Mund dhe duhet të fajësojmë policinë ose ata pak protestues të dhunshëm. Por, sinqerisht, ata përbëjnë një pakicë. Përfundimi im, megjithatë, është i qartë: Edi Rama është shkaku i gjithë kësaj.
Që nga dita e parë, ai i ka trajtuar me arrogancë protestuesit paqësorë të Flamingos. Ai refuzon të ndalë shkatërrimin e një zone natyrore të mbrojtur.
Gjithashtu, nuk po tregon asnjë vullnet për të luftuar realisht korrupsionin dhe për të ndërmarrë ndryshime domethënëse në vend.
Unë dua që Shqipëria të jetë pjesë e Bashkimit Evropian. Ne jemi të gjithë evropianë.
Dhe pikërisht për këtë arsye, ndiej përgjegjësinë të veproj. Tani do t’i kërkoj Bashkimit Evropian, por edhe vendeve të ndryshme, ta dënojnë këtë dhunë. Megjithatë, ka diçka edhe më domethënëse që mund të bëjmë.
Më 4 nëntor, Komisioni Evropian do të publikojë raportin e tij për zgjerimin. Dhe ky është momenti ynë për të kërkuar ndryshime. Nëse Shqipëria dëshiron të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian, duhet të ketë një qeveri që respekton të drejtat themelore të qytetarëve të saj. Prandaj, le të ushtrojmë presion për ta bërë këtë të mundur!", shprehet eurodeputetja.



