Kalo te përmbajtja / Skip to content
Rajon

Wesley Clark: Shqiptarët kishin të drejtë të rebeloheshin – Kur e thashë në Hagë, ata më ndërprenë

AutoktonPublikuar më 2.10.2026Përditësuar më 2.10.2026Lexim prej 1 minutash

Ish-komandanti suprem i NATO-s, Wesley Clark, e ka cilësuar ofendues dënimin e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), në një intervistë për Klan News.

Clark tha se nuk i ishin paraqitur prova për veprimet për të cilat mund të mbahej përgjegjës ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Ai theksoi se gjatë luftës Thaçi nuk ishte drejtuesi i operacioneve ushtarake dhe nuk kishte kontroll të përditshëm mbi atë që ndodhte në luftime.

“Unë e kam takuar dy herë Hashim Thaçin gjatë konfliktit në Kosovë. Ai nuk ishte udhëheqësi, Agim Çeku ishte drejtuesi. Hashim Thaçi fliste gjermanisht, ai nuk kontrollonte përditë se çfarë ndodhte në luftime”, tha Clark.

Ai shtoi se edhe pas përfundimit të luftës ishte e vështirë të kontrollohej gjithçka që ndodhte, duke përmendur mundësinë që individë të kthyer nga lufta të kenë kryer veprime të caktuara si pasojë e përvojave të tyre gjatë konfliktit.

Ish-komandanti i NATO-s theksoi se shqiptarët e Kosovës kishin të drejtë të rebeloheshin kundër pushtuesit serb. Ai kritikoi qasjen e gjykatës ndaj përgjegjësisë për vrasjet, duke e cilësuar vendimin si ofendues.

“Shqiptarët e kanë pasur të drejtën e rebelimit. Por gjykata thoshte se dikush u vra dhe se dikush duhet të merret përgjegjës për këtë vrasje. Kjo ka qenë deviza e gjykatës. Vendimi është ofendues”, deklaroi Clark.

Për ta ilustruar qëndrimin e tij, Clark iu referua edhe situatës në Iran, duke ngritur pyetjen nëse personat që rebelohen kundër një regjimi duhet të dënohen në rast se gjatë kryengritjes ndodh ndonjë vrasje.

Ai tha se këtë argument e kishte paraqitur edhe në Hagë, por ishte ndërprerë nga të pranishmit, pa e kuptuar arsyen e ndërhyrjes.

Artikuj të ngjashëm