Ylli i së majtës amerikane, mesazh Edi Ramës: Ndal dhunën dhe respekto shqiptarët

Kongresmenia amerikane Alexandria Ocasio-Cortez, e konsideruar si ylli në ngritje i së majtës, i ka bërë thirrje qeverisë shqiptare të ulë tensionet dhe të ndalë atë që ajo e cilëson si represion të dhunshëm ndaj protestuesve.
Në një reagim të publikuar në rrjetin social X, Ocasio-Cortez tha se gjatë javës së fundit ka marrë mesazhe nga pjesëtarë të komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara, të cilët kanë shprehur shqetësim për sigurinë e familjarëve të tyre në Shqipëri.
“Po i bëj thirrje qeverisë shqiptare të ulë tensionet dhe të ndalë represionin e dhunshëm ndaj protestuesve, si dhe të respektojë lirinë e shprehjes së shqiptarëve”, shkroi kongresmenia amerikane.
Reagimi i saj vjen në një kohë kur në Shqipëri vijojnë protestat e të rinjve, ndërsa situata është shoqëruar me tensione dhe përplasje me policinë.
Edhe kongresmeni amerikan Ritchie Torres ka reaguar përmes një postimi në rrjetin social X lidhur me dhunën ndaj protestuesve në Shqipëri, duke kërkuar ndalimin e veprimeve të policisë dhe uljen e tensioneve.
Torres u shpreh se është thellësisht i shqetësuar për shpërthimin e dhunës ndaj protestuesve, ndërsa i cilësoi veprimet e policisë shqiptare si të papranueshme.
“Shqiptarët kanë të drejtë të protestojnë në mënyrë paqësore, policia duhet të respektojë të drejtën e protestuesve për të protestuar dhe të ruajë shtetin e së drejtës”, shkroi kongresmeni amerikan.
Ai theksoi gjithashtu nevojën për shtensionimin e situatës dhe ndalimin e dhunës, duke kërkuar që zhvillimet në Shqipëri të mos përshkallëzohen më tej.
Ritchie Torres përfaqëson distriktin e 15-të të New Yorkut në Dhomën e Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara, që përfshin një pjesë të Bronxit.



