Zvicra nuk tërhiqet nga Kosova – përkundrazi, shton ushtarët

Zvicra planifikon ta rrisë praninë e saj ushtarake në Kosovë në kuadër të misionit paqeruajtës të KFOR-it, pavarësisht paralajmërimeve për zvogëlim të përgjithshëm të numrit të trupave të NATO-s.
Këtë e ka konfirmuar ambasadorja e Zvicrës në Serbi, Anne Elisabeth Lugon-Moulin, në një intervistë për “CordMagazine”.
Sipas saj, Këshilli Federal zviceran i ka kërkuar Parlamentit vazhdimin e mandatit të Swisscoy-t në Kosovë dhe rritjen e numrit të pjesëtarëve nga 215 në 300.
“Parlamenti e ka aprovuar këtë kërkesë në qershor. Kështu, Zvicra do ta rrisë prezencën e saj në Kosovë, e jo ta zvogëlojë”, ka deklaruar Lugon-Moulin.
Mandati aktual i Swisscoy-t përfundon më 31 dhjetor 2026, ndërsa vendimi i miratuar parasheh vazhdimin e angazhimit zviceran në Kosovë.
Ambasadorja ka theksuar se qëndrimi i Zvicrës është që KFOR-i vazhdon të ketë rol të rëndësishëm për sigurinë dhe stabilitetin në Kosovë. /Urgjent.com/
Artikuj të ngjashëm



