Mbyllet emisioni i Luiz Ejllit, shkak protestat: Çfarë thotë njoftimi zyrtar

Emisioni “Live me Luizin”, i drejtuar nga Luiz Ejlli në Top Channel, nuk do të transmetohet mbrëmjen e sotme, për shkak të zhvillimeve të fundit në Shqipëri dhe vëmendjes që televizioni do t’u kushtojë atyre.
Lajmi është bërë i ditur përmes një njoftimi zyrtar të publikuar në faqen e emisionit dhe nga Top Channel.
“Për shkak të zhvillimeve të fundit në Shqipëri dhe rëndësisë së lartë të tyre për interesin publik, emisioni ‘Live me Luizin’ nuk do të transmetohet mbrëmjen e sotme”, thuhet në njoftim.
Në fashën e parashikuar për emisionin e Luiz Ejllit, Top Channel do të transmetojë një edicion special të “Top Story” me Grida Dumën, i cili do t’u kushtohet ngjarjeve aktuale, zhvillimeve të fundit dhe analizës së situatës në vend.
Megjithatë, bëhet fjalë vetëm për anulimin e transmetimit të kësaj jave dhe jo për mbylljen përfundimtare të programit.
“‘Live me Luizin’ do të rikthehet javën e ardhshme në Top Channel”, përfundon njoftimi zyrtar.



