Nami! “Vëllai i madh” merr vendimin drastik për banorët e BBVK, ende pa nisur spektakli

Një ndryshim i papritur ka ndodhur në nisjen e edicionit të pestë të “Big Brother VIP Kosova”. Ndonëse premiera zyrtare ishte paralajmëruar për nesër, më 30 tetor, në orën 21:00, produksioni ka vendosur që banorët e parë të hyjnë në shtëpi që mbrëmjen e sotme.
Lajmi është bërë i ditur vetëm pak minuta përpara hyrjes së tyre, përmes disa postimeve në faqen zyrtare të spektaklit në Instagram.
“ALARM! Vëllai i Madh merr një vendim të papritur!”, shkruhej fillimisht në njoftimin e produksionit, pa zbuluar menjëherë se për çfarë bëhej fjalë.
Pak minuta më vonë, u publikua edhe vendimi që ndryshonte planet e nisjes së sezonit.
“Hapni kanalet! Futen në shtëpi banorët e parë”, njoftoi produksioni, duke konfirmuar se hyrjet do të nisnin 24 orë përpara spektaklit të parë zyrtar.


Ndryshe nga edicionet e mëparshme, ku banorët prezantoheshin gjatë natës së parë të spektaklit, këtë herë disa prej tyre do ta nisin eksperiencën përpara se të zhvillohet mbrëmja e hapjes në studio.
Hyrja e tyre po transmetohet drejtpërdrejt për publikun, ndërsa në pamjet e para nga shtëpia shihen ambientet e përgatitura për sezonin e ri.
Megjithatë, ky ndryshim nuk prek datën e premierës zyrtare. Spektakli i parë i “Big Brother VIP Kosova 5” do të mbahet nesër, më 30 tetor, në orën 21:00, kur pritet të bëhet edhe prezantimi i plotë i formatit dhe banorëve.
Kështu, për konkurrentët e parë, loja nis që sonte, ndërsa publiku do të ketë mundësinë t’i ndjekë në shtëpi përpara se të zhvillohet spektakli i parë në studio.



