Pas divorcit të bujshëm, Neda Balluku nuk takon djemtë e saj? Postimi prekës: Mami dhe shtëpia presin gjithmonë

Moderatorja dhe autorja Neda Balluku ka bërë një postim prekës në rrjetet sociale, ku ka rrëfyer se prej kohësh tashmë, nuk takon dy djemtë e saj. Ajo shprehet se ndihet e përmallur për të parë fytyrat e tyre, ndërsa jeton me vajzën e vogël.
Neda shton se ajo pret dhe do të vijojë t’i presë deri sa të bashkohen.
Kujtojmë se moderatorja pati një ndarje të bujshme nga bashkëshort i saj, Ogren Balluku, vëllai i ish-zv.kryeministres, Belinda Ballluku. Ndarja e tyre madje përfundoi në dyert e drejtësisë, me akuza për dhunë.
Më 16 janar 2026, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë lëshoi urdhër të menjëhershëm mbrojtjeje në favor të Neda Ballukut, për shkak të dhunës së pretenduar nga bashkëshorti i saj.
Vetëm pak ditë më pas, ishte vetë Ogren Balluku, ai që kërkoi urdhër mbrojtjeje, duke pretenduar se ishte subjekt i dhunës së vazhdueshme verbale, psikologjike dhe herë pas here edhe fizike nga bashkëshortja.

Reagimi i plotë:
Nuk janë të paktë ata që nga njerëzit e mi të ngushtë, më sugjerojnë herë pas here gjëra të tipit; "mbaj një shtëpi më të vogël hë për hë, sa për veten dhe gocën, sa të stabilizohet situata. Do ta kesh më të lehtë nga shumë drejtime."
Ndonjëherë ua kaloj me diplomaci, pa dhënë shumë shpjegime. Ka çaste që edhe u kthej ndonjë përgjigje aty për aty, sikur nuk e kam prioritet, se kam gjetur rehat...
Herë të tjera, si tani, si këto kohë që më vjen aq shumë të them me fjalë gjithçka kam e ndiej; dua t'u them se mua Zoti më ka bekuar me tre fëmijë. Dhe dy djemtë e mi kanë dhomën e tyre dhe do të kenë gjithmonë dhomën e tyre tek cilado shtëpi mami dhe motra e tyre do të jenë.
Do të kenë gjithmonë çarçafët e tyre të bukur. Tavolinën e mësimeve që i pret. Dhe ushqimin e preferuar përherë gati.
Së bashku me mamin çmendurisht të dashuruar pas tyre dhe thellësisht të përmalluar, edhe kjo shtëpi i pret e do t'i presë derë hapur gjithmonë, edhe sikur sonte zemrat e tyre të vogla të ndriçohen dhe të duan të vijnë, apo edhe nëse do ta bëjnë kur fytyrat e tyre krenare të jenë të mbushura me mjekër, apo edhe nëse nuk do të duan kurrë...
Pritja e mamit vjen sot e do të vijë gjithmonë, së bashku me jetën që po ndërtoj në zemrën time për ta, në ëndrrën time për ta, apo në botën normale që të rriturit e tyre ish dash të siguronin.
Ndonëse sonte, jastëkët do të jenë sërish bosh.



