Zbardhet dëshmia e Eli Farës në Polici, çfarë tha për kamerat

Detaje të reja janë bërë publike nga dëshmia e Eli Farës në Policinë e Tiranës, pas shpërndarjes në rrjet të videove intime që kanë përfshirë edhe emrin e këngëtares.
Sipas burimeve policore të cituara në media, Fara ka deklaruar se nuk kishte dijeni se po filmohej dhe se nuk ishte në dijeni të ekzistencës së kamerave në ambientin ku janë regjistruar pamjet.
“Jo, jo, nuk kam dijeni që jam filmuar”, mësohet të ketë deklaruar këngëtarja gjatë dëshmisë.
Një tjetër detaj i rëndësishëm lidhet me denoncimin e saj. Ndryshe nga raportimet e mëparshme, sipas të cilave Eli Fara kishte denoncuar Adrian Hilën, informacionet e fundit bëjnë me dije se kallëzimi nuk është drejtuar ndaj kompozitorit.
Fara mësohet se ka denoncuar publikimin dhe shpërndarjen e materialeve, duke kërkuar identifikimin e personit ose personave që i kanë siguruar dhe më pas i kanë nxjerrë ato në rrjet.
Po sipas këtyre informacioneve, gjatë dëshmisë këngëtarja nuk ka ngritur pretendime ndaj Adrian Hilës as për filmimin dhe as për publikimin e videove. Madje, ajo është shprehur se Hila nuk është personi që i ka shpërndarë materialet.
Ndërkohë, edhe kompozitori është marrë në pyetje nga ekspertët e Krimit Kibernetik në Policinë e Tiranës. Hila i është përmbajtur versionit të dhënë më herët, sipas të cilit materialet mund të jenë marrë pas ndërhyrjes së paautorizuar në sistemin e kamerave.
Hetuesit po verifikojnë pikërisht këtë pistë, krahas rrethanave në të cilat janë realizuar regjistrimet dhe mënyrës se si materialet kanë përfunduar në duart e personave që i publikuan.
Dëshmia e Farës korrigjon kështu një informacion të raportuar më herët nga gazetari Andi Vrapi, sipas të cilit këngëtarja kishte bërë denoncim ndaj Hilës.
Sipas të dhënave të fundit të raportuara nga burime policore, denoncimi lidhet me publikimin dhe shpërndarjen e videove dhe jo me një kallëzim të drejtpërdrejtë ndaj kompozitorit.
Artikuj të ngjashëm

Pas dëshmisë së Eli Farës në Polici, vjen reagimi i vajzës së saj, Marina


