“Denonconi”, videot intime të artistëve, Luarasi: Turpi s’u përket grave, kush i filmoi?

Deputetja e PS-së, Iris Luarasi ka reaguar lidhur me publikimin e videove intime të kompozitorit Ardian Hila me disa artiste të njohura të ekranit, duke kërkuar zbardhjen e plotë të rrethanave dhe përgjegjësive pas shpërndarjes së materialeve.
Luarasi ngre disa pikëpyetje lidhur me origjinën e videove, duke kërkuar të përcaktohet se kush i ka filmuar, kush i ka publikuar dhe kush po përfiton nga shpërndarja e tyre.
Deputetja shprehet në mbështetje të hetimeve për zbardhjen e çështjes, ndërsa thekson se personat e prekur duhet të denoncojnë rastin pranë autoriteteve, në mënyrë që ngjarja të hetohet dhe të marrë rrugën e duhur ligjore.
Në reagimin e saj, Luarasi shpreh solidaritet dhe mbështetje për të gjithë personat e prekur, duke nënvizuar se viktimat e publikimit të materialeve intime “nuk kanë asnjë turp për të mbajtur” dhe se nuk janë vetëm.
Reagimi i plotë:
Një vend i tërë po sheh, shpërndan dhe tallet me materiale private që përfshijnë disa gra. Ndërsa ato anatemohen në çdo koment, pyetja më e rëndësishme lihet në hije se kush i filmoi, kush i publikoi dhe kush po fiton nga shpërndarja e tyre? Flitet për gratë kudo e flitet shumë pak ose aspak për burrat.
Ajo që dy të rritur bëjnë me dëshirë në jetën e tyre private nuk është krim. Nëse dikush është filmuar pa dijeninë ose pëlqimin e tij, kjo duhet të hetohet. Po ashtu edhe publikimi e shpërndarja e pamjeve private. Turpi nuk u përket grave. U përket atyre që cenojnë privatësinë e tyre dhe atyre që e ushqejnë këtë dhunë me “share”, klikime e tallje.
Përshëndes hetimet e nisura nga Policia dhe Prokuroria, si edhe reagimin e Komisionerit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale për ndalimin dhe heqjen e këtyre materialeve. Por drejtësia merr formë të plotë kur personat e prekur e denoncojnë rastin: kjo është rruga për të zbardhur si janë realizuar videot, kush i ka përdorur dhe kush i ka shpërndarë. Grave që sot gjenden në qendër të këtij linçimi u them se nuk jeni vetëm. Nuk keni pse të mbani turpin për cenimin që mund t’ju jetë bërë. Turpi u përket atyre që filmuan, publikuan, shpërndanë dhe atyre që e ushqejnë këtë dhunë me klikime, komente dhe tallje. Edhe për ata që i shpërndajnë këto video: çdo “share”, çdo dërgim në një grup privat, çdo koment fyes apo tallës e zgjat dëmin. Nuk jeni thjesht spektatorë. Bëheni pjesë e dhunës ndaj një njeriu. Të qenit person publik nuk ia heq askujt të drejtën për privatësi; as nuk i jep publikut të drejtën të gjykojë, fyejë apo dënojë një grua për zgjedhjet e saj personale. Ata që e paraqesin jetën intime të dikujt si “lajm” për klikime dhe fitim nuk po bëjnë gazetari. Gazetaria informon, verifikon dhe respekton dinjitetin e njeriut. Shfrytëzimi i materialeve intime për trafik nuk është informim, por është ekspozim, poshtërim dhe dhunë. Duhet përgjegjësi e qartë për çdo portal, faqe apo person që jeton nga linçimi i jetëve njerëzore.
Mos harroni më të rëndësishmen se këto gra kanë fëmijë, nëna, prindër, familje, miq dhe jetë përtej ekranit. Pasojat e këtij turpërimi publik mund të jenë të rënda, të thella dhe të pakthyeshme.



