Kalo te përmbajtja / Skip to content
Shqipëri

“E godita vetëm një herë me shpullë! Kërkoj ndjesë” – Zbardhet dëshmia e këngëtarit Jozefin Marku në gjykatë

AutoktonPublikuar më 9.9.2026Përditësuar më 20.9.2026Lexim prej 1 minutash

Zbardhen detaje të reja nga seanca gjyqësore me dyer të mbyllura, ku u caktua masa e sigurisë për këngëtarin Jozefin Marku dhe shoferin e tij, Kristjan Nikolli. Të dy akuzohen për dhunën ndaj ish-konkurrentit të “Për’puthen”, Eduard Kuçi, ndërsa gjykata vendosi ndaj tyre masën e sigurisë “arrest në shtëpi”.

Gjatë seancës, këngëtari Jozefin Marku ka dhënë dëshminë e tij para trupit gjykatës, duke u shprehur pendesë për ngjarjen dhe duke e arsyetuar veprimin e tij si një çast gjaknxehtësie për shkak të fyerjeve në rrjetet sociale.

“Kërkoj ndjesë për veprimin. E kam kryer në gjaknxehtësi e sipër. Nuk e njihja më parë Eduard Kuçin. E kam njohur në rrjetet sociale, ku më ka sharë familjen. E kam goditur vetëm një herë me shpullë, duke i thënë të më kërkojë falje që më ka sharë familjen,” mësohet të jetë shprehur Marku.

Nga ana e tij, i bashkëpandehuri Kristjan Nikolli ka mohuar çdo lloj përfshirjeje në dhunën fizike ndaj Kuçit, duke deklaruar se në kohën e ngjarjes ka qenë i pranishëm në një gëzim familjar (dasmë). Lidhur me municionin e gjetur gjatë kontrollit në banesën e tij, Nikolli është mbrojtur duke thënë se ato ishin të vjetra dhe të papërdorshme.

“Unë atë natë që ka ndodhur ngjarja kam qenë në një dasmë, nuk kam qenë prezent në vendngjarje. Unë Jozin e kam mik, këtë e dinë të gjithë. Fishekët që keni gjetur në shtëpinë time ishin të ndryshkur, nuk e di përse ishin aty,” ka dëshmuar Nikolli.

Hetimet e organit të akuzës vijojnë për të zbardhur plotësisht dinamikën e ngjarjes dhe për të përcaktuar përgjegjësinë e secilit prej personave të përfshirë në këtë konflikt.

Artikuj të ngjashëm