Kalo te përmbajtja / Skip to content
Shqipëri

Historia e pazakontë/ Tre motra trinjake nuk ndahen as në universitet, zgjedhin të studiojnë farmacinë (VIDEO)

AutoktonPublikuar më 26.9.2026Përditësuar më 26.9.2026Lexim prej 1 minutash

Tre motra, tre trinjake nga Kukësi dhe një histori e rrallë suksesi.

Teksa ngjisin shkallët e Fakultetit të Mjekësisë plot emocione, trinjaket kanë vendosur të mos ndahen as në auditorë.

Në preferencat e tyre ishte edhe stomatologjia, por për të qenë bashkë vendosën që të trija të studiojnë për farmaci.

“Ishte në dëshirën tonë që të vazhdonim farmaci”, shprehet njëra nga motrat.

Të trija e kanë mbaruar me rezultate të shkëlqyera maturën në gjimnazin e Kukësit dhe duket se dhe prirjet i kanë të njëjta në shkenca ekzakte.

Jo vetëm rezultatet e shkëlqyera, por edhe lidhja e veçantë që kanë me njëra-tjetrën i bashkon që prej lindjes e mesa duket nuk do të ndahen as në bankë.

Edhe pse trinjakë në karakter janë të ndryshme, Ajsel duket se paraprin gjithmonë kur bëhet fjalë për t’u shprehur.

“Unë jam pak më e shkathët, ndërsa unë dua vetëm atë shoqërinë e ngushtë. Qëndron pak brenda komfortit të saj”, shprehet Ajsel.

Trinjaket u bashkuan me studentët e tjerë në Ditën Botërore të Farmacistëve, ku tema e këtij viti ishte “Fuqizimi i farmacistit për një të ardhme të shëndetshme”.

Urdhri i Farmacistëve zhvilloi disa aktivitete për të promovuar rolin dhe rëndësinë e farmacistit. U shpërndanë fletëpalosje me këshilla për përdorimin e barnave tek fëmijët.

Ndërkohë që u dërguan një sasi me produkte farmaceutike dhe materiale higjieno-sanitare në Shtëpinë e Fëmijës “Zyber Hallulli”./ TCH

Artikuj të ngjashëm