I kërkoi largimin, Rama “godet” sërish Spiropalin? E gjobit me 2 milionë euro

Një tjetër zhvillim është raportuar në lidhje me Elisa Spiropalin, pas qëndrimeve të saj kritike ndaj kryeministrit Edi Rama dhe thirrjes për ndryshime në drejtimin e Partisë Socialiste.
Gazetari Basir Çollaku ka deklaruar se administrata tatimore ka tentuar të vendosë një gjobë prej rreth 2 milionë eurosh ndaj bizneseve të bashkëshortit të Spiropalit, duke ngritur dyshime se kjo përpjekje mund të lidhet me përplasjet e fundit politike.
Gjatë një interviste për “NTV Television”, Çollaku tha se informacioni i ka ardhur nga burime që i konsideron të besueshme, por pranoi se nuk ka ende një konfirmim zyrtar për vendosjen e gjobës.
“Me informacionin që kam, duhet zyrtarizuar, por burimet janë të besueshme, ka pasur një përpjekje tatimore për të vendosur një gjobë shumë të konsiderueshme ndaj bizneseve të familjes së saj”, deklaroi gazetari.
Sipas tij, përpjekja për vendosjen e masës financiare dyshohet të ketë ndodhur rreth datës 13 tetor, ndërsa shuma e përfolur është afërsisht 2 milionë euro.
“Afër rreth 2 milionë euro, afër, diçka më pak apo më tepër. Pra kjo është ajo që unë di, që ka pasur një përpjekje për ta sanksionuar si ndëshkim financiar nga tatimorët”, u shpreh Çollaku.
Ai theksoi se nuk e di nëse vendimi është zyrtarizuar, nëse është tërhequr apo nëse një masë e tillë do të kishte bazë ligjore.
Deklaratat vijnë pas letrës së hapur që Spiropali i drejtoi kryeministrit Rama, ku kërkonte një zgjidhje politike për situatën e krijuar në vend dhe i sugjeronte të hapte rrugën për ndryshime brenda Partisë Socialiste.
Ndërkohë, deputetja nuk ishte e pranishme në mbledhjen e fundit të Grupit Parlamentar socialist. Arsyeja e mungesës së saj nuk është bërë e ditur.
Në të njëjtën periudhë, Spiropali njoftoi edhe bllokimin e faqes së saj zyrtare në Facebook, duke sqaruar se prej tre ditësh nuk kishte akses dhe se po bashkëpunonte me kompaninë Meta për rikthimin e llogarisë.
Nga ana tjetër, në mbledhjen e grupit parlamentar, Rama u ka kërkuar deputetëve socialistë të jenë më të pranishëm në terren dhe të komunikojnë me qytetarët, në një kohë kur protestat studentore vijojnë.
Deri tani, nuk ka një reagim të konfirmuar nga administrata tatimore, Elisa Spiropali apo bizneset e përmendura lidhur me deklaratat e gazetarit.
Artikuj të ngjashëm



