Kalo te përmbajtja / Skip to content
Shqipëri

“Kërkoni gjithmonë të…”/ Avokati: Jeni protestues? Disa këshilla që duhet ti dini të gjithë dhe si të veproni!

AutoktonPublikuar më 20.10.2026Përditësuar më 20.10.2026Lexim prej 2 minutash

Në një kohë kur protestat e studentëve në Shqipëri po shoqërohen me tensione dhe ndërhyrje të policisë, avokati Arlind Hoxha ka publikuar një sërë këshillash për qytetarët që mund të ndalohen nga efektivët gjatë pjesëmarrjes në protestë.

Përmes një postimi në Instagram, avokati ka shpjeguar disa nga të drejtat që qytetarët duhet të njohin dhe hapat që, sipas tij, duhet të ndjekin në rast shoqërimi apo arrestimi.

Një nga këshillat e para lidhet me identifikimin e punonjësve të policisë, veçanërisht kur ndërhyrja kryhet nga persona të veshur civilë.

Reklamë

“Nëse ndaloheni nga persona të veshur civilë, të cilët nuk kanë shenja të dukshme identifikimi, kërkoni që të paraqesin dokumentin që vërteton se janë punonjës të Policisë së Shtetit”, shkruan Hoxha.

Avokati u sugjeron qytetarëve që, nëse pretendojnë se janë dhunuar gjatë arrestimit apo pas tij, të paraqesin kallëzim pranë Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP).

Ai këshillon gjithashtu që personat që kanë pësuar dëmtime fizike të kërkojnë trajtim mjekësor, dokumentimin fotografik të dëmtimeve dhe ekzaminimin pranë mjekësisë ligjore.

Një tjetër pikë që Hoxha e konsideron të rëndësishme është njohja e arsyes së ndalimit.

“Kërkoni gjithmonë arsyen e ndalimit dhe kërkoni prova që dokumentojnë veprimet tuaja dhe mos e shoqëroni atë me asnjë koment shpjegues”, thuhet në publikimin e tij.

Avokati i këshillon protestuesit të mos japin deklarime pa u konsultuar më parë me një mbrojtës ligjor, duke theksuar rëndësinë e pranisë së avokatit gjatë procedurave.

“Kërkoni të kontaktoni menjëherë avokatin dhe mos jepni deklarime pa praninë e tij, pasi prezenca e avokatit është një e drejtë themelore që keni”, shkruan ai.

Hoxha u sugjeron qytetarëve të kërkojnë edhe dokumentin ku u bëhen të njohura të drejtat e tyre dhe të mbajnë një kopje, nëse kjo u lejohet.

Në postim përfshihen edhe këshilla lidhur me telefonin celular dhe komunikimet gjatë qëndrimit në ambientet policore. Avokati paralajmëron për mundësinë që bisedat mbi çështjen të dokumentohen dhe të përdoren gjatë procedimit.

Sa i përket kodit të telefonit, ai këshillon që të mos jepet edhe në rast kërkesash këmbëngulëse.

Publikimi i Arlind Hoxhës synon të informojë qytetarët për të drejtat e tyre në rast ndalimi nga policia, ndërsa protestat vazhdojnë të jenë në qendër të vëmendjes publike.

Këshillat e shpërndara kanë karakter informues dhe nuk zëvendësojnë ndihmën juridike të përshtatur për një rast konkret.

Artikuj të ngjashëm

Reklamë