Nga Tirana në Gjirokastër, ja si ndryshon harta e re territoriale e Shqipërisë

Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar pas mesnate ligjin për hartën e re territoriale, pas një seance të shoqëruar me debate dhe kundërshti. Nisma mori 85 vota pro dhe parashikon ndryshime të rëndësishme në organizimin e pushtetit vendor.
Sipas ndarjes së paraqitur, 28 bashki aktuale do të konsolidohen në 13 bashki më të mëdha, duke e ulur numrin e përgjithshëm të bashkive nga 61 në 46. Struktura e re parashikon gjithashtu 71 qytete përbërëse dhe 387 njësi administrative.
Modeli ruan bashkinë si njësinë bazë të vetëqeverisjes vendore, me një kryetar, një këshill bashkiak, një administratë dhe një buxhet të përbashkët.
Në Qarkun e Tiranës, kryeqyteti ruan strukturën aktuale, ndërsa Kavaja dhe Rrogozhina bashkohen në një bashki të vetme. Një tjetër ndryshim është krijimi i njësisë administrative të Rinasit, që do të përfshijë Rinasin, Bërxullën dhe Domjen dhe do të jetë pjesë e Bashkisë Tiranë.
Në veri, Fushë-Arrëzi bashkohet me Pukën, ndërsa Qarku i Lezhës dhe ai i Kukësit mbeten të pandryshuar.
Në Qarkun e Beratit, numri i bashkive ulet nga pesë në tre. Berati bashkohet me Poliçanin dhe Dimalin, ndërsa Kuçova dhe Skrapari ruajnë statusin e tyre.
Në Fier, Patosi bashkohet me Bashkinë Fier, ndërsa Divjaka me Lushnjën. Në Dibër, Klosi i bashkohet Matit.
Riorganizimi prek edhe Qarkun e Gjirokastrës, ku Tepelena bashkohet me Memaliajn, Përmeti me Këlcyrën dhe Libohova me Gjirokastrën.
Në jug, Selenica i bashkohet Vlorës, ndërsa në Qarkun e Korçës, Maliqi bashkohet me Bashkinë Korçë.
Sipas propozuesve, ndarja e re është hartuar duke marrë parasysh numrin e banorëve, kapacitetet financiare, distancat, lidhjet rrugore dhe karakteristikat gjeografike e identitare të zonave.
Për këtë arsye, bashki si Pusteci, Finiqi, Dropulli, Tropoja, Hasi, Skrapari dhe Konispoli ruajnë statusin e tyre, pavarësisht madhësisë apo treguesve ekonomikë.
Miratimi i reformës u shoqërua me kundërshtime nga opozita, e cila kërkoi që procesi të mos vijonte në kushtet e tensioneve në sallë. Ndërkohë, mazhoranca e ka argumentuar ndryshimin e hartës territoriale me nevojën për administrim më efikas, financa vendore më të qëndrueshme dhe përmirësim të shërbimeve ndaj qytetarëve.
Harta e re pritet të zbatohet në zgjedhjet vendore të vitit 2027, kur qytetarët do të votojnë për drejtuesit e 46 bashkive të vendit, në vend të 61 bashkive aktuale.



