Kalo te përmbajtja / Skip to content
Shqipëri

Sot Hila, nesër ti, mëkati nuk është te videot. Çfarë po ndodh me ne?

AutoktonPublikuar më 1.10.2026Përditësuar më 1.10.2026Lexim prej 5 minutash

Ka një lehtësi të frikshme me të cilën shoqëria jonë pranon të bëhet pjesë e shkatërrimit të jetëve të disa personazheve publikë.

Prej disa orësh, mjafton të hapësh telefonin dhe përballesh me një lumë komentesh, mesazhesh rreth disa videove mbi kompozitorin Adrian Hila dhe disa vajzave e grave të njohura të ekranit.

Sot, kjo qe tema e ditës. Të gjitha problemet e këtij vendi u harruan si me magji. S’foli më njeri sesi drejtoresha e SHISH, Vlora Hyseni, mbronte dhe i jepte të dhënë sekrete Ergys Agasit. As për korrupsionin e përditshëm ne qeverisje. Njerëzit harruan edhe hallet e tyre personale.

Videot u komentuan dhe përjetuan në forma të ndryshme. Disa me habi, disa me të qeshura, të tjerë me sharje e kritika e disa duke fërkuar duart për serinë e radhës që paralajmerohej nëpër faqe interneti, si të ishte një telenovelë super e ndjekur.

Por përtej histerisë kolektive, përtej vërtetësisë së videove, qejfeve apo fajeve personale të personave të përfshirë, ka një të vërtetë tjetër. Dhe kjo është më e dhimbshme.

Shpërndarja e videove seksuale në rrjet nuk ka lidhje as me kritikat ndaj artit apo botës së shoëbizit, jetës private të një artisti apo disa këngëtareve, as me ligjin apo moralin. Kjo është thjesht dhunë e pastër! Është terror psikologjik i maskuar me petkun e moralit të rrjeteve sociale!

Nuk ka të bëjë as me ndonjë krim, as me vjedhje, as me korrupsion e me asgjë abuzive që dëmton një shoqëri. Ajo është jeta private e një njeriu, i cili, siç ka rënë pre e terrorit të këtyre orëve, mund të ketë qenë edhe pre e përgjimeve apo hakerimeve. Dhe kjo është një vepër e pastër penale! Jo jeta seksuale e kompozitorit!

Mendoni për një çast, përtej personazheve publikë, se si do të ndihej secili prej nesh nëse një ditë të bukur jeta më intime, ajo copëz lirie që i përket vetëm katër mureve, të dilte jashtë tyre e të shndërrohej në mall për klikime në internet, për shantazhe, për inate personale apo për ndezur masturbime kolektive mendore.

Të shohësh dikë që del para ekranit të celularit dhe rreh gjoksin, si të ketë zbuluar ilaçin e përjetësisë, “kam video, kam emra dhe do t’i nxjerr në internet”, është forma më primitive e shantazhit. Nuk ka të bëjë aspak me guximin, nuk ka të bëjë fare me denoncimin e një fenomeni. Ka të bëjë vetëm me pengmarrjen e dinjitetit njerëzor për pak vëmendje, për disa ndjekës më shumë, për disa intervista më tepër në emisione rozë, në mos për interesa të tjera.

Dhe pikërisht këtu duhet të ndalojmë si shoqëri përpara se të komentojmë jetën private të gjithësecilit, ta gjykojmë e të shesim moral mbi të. Kush guxoi ta filmonte dhe t’i nxirrte videot dhe si është e mundur që të tilla materiale përfundojnë në duart e kujtdo dhe përdoren si armë për të goditur jetën e disa njerëzve që nuk i kanë bërë asgjë të keqe shoqërisë, përveçse kanë jetuar jetën e tyre, në formën e tyre, me të mirat dhe të këqijat e tyre, pa i rënë në qafë askujt?

Le ta themi troç. Më e rëndë se vetë ngjarja mbetet shpërndarja e videove mes nesh dhe sehirllëku ynë kolektiv përballë diçkaje që nuk ndikon asfare në jetët tona. Nesër Tirana do të zgjohet sërish pa ujë, Durrësi sërish pa kanalizime, Shkodra sërish pa rrugë, Fieri sërish i ndotur nga nafta, Vlora sërish e qelbur nga plehrat. Pensionistët do të vazhdojnë të numërojnë kacidhet për ilaçet, të rinjtë do ta shohin sërish veten të papunë, qytetarët do të vazhdojnë të shohin se si Ergysagasët e qeverisë do të vazhdojnë t’i rrjepin e t’i mbajnë nën terrorin e pushtetit dhe grupeve kriminale të lidhura me të.

Ata që tradhëtojnë nuk do të ndalojnë së tradhëtuari edhe pas këtyre videove apo mijëra të tjerave që mund të ekzistojnë. Ata që do të duan të bëjnë seks kudo që t’ua marrë mendja, do të vazhdojnë ta bëjnë. Shoqëria nuk do të bëhet më e mirë dhe as më e keqe, sepse jeta private e një apo një grupi artistësh nuk është asfare në interesin publik. Ajo u intereson veçse disa mendjeve malinje apo atyre kurioze, që duan të vrasin kohën.

Jo jeta e Hilës, por cënimi i jetës private të tij përbën vepër penale! Jo Hilat e radhës, por ata që vjedhin privatësinë kryejnë shkelje. Shoqëria nuk duhet të ketë frikë nga artistë që pall*hen për hesapin e tyre, por nga individët që, për shantazhe apo për të pasur pak vëmendje shkelin ligjin dhe shkatërrojnë jetë individësh të pafajshëm. Sot secili duhet të pyesë se çfarë po ndodh me ne. Si mundet që një histori personale t’i mbivendoset çdo problem dhe si është e mundur që individë të caktuar arrijnë të shkatërrojnë jetët e disa të tjerëve, thjesht sepse munden.

Policia dhe Prokuroria e Tiranës kanë nisur një hetim për një sërë veprash penale, si “Përgjimi i paligjshëm i të dhënave kompjuterike”, “Ndërhyrja në të dhënat kompjuterike”, “Ndërhyrja e padrejtë në jetën private” dhe “Keqpërdorimi i pajisjeve”. Janë të gjitha vepra penale që i ka bërë ai që i ka vjedhur dhe publikuar videot. Por a mjafton? A mundet gjetja e autorit të riparojë dëmet që bëri publikimi i tyre? Mediat refuzuan sot në bllok që t’i publikojnë videot. Sepse ato e dinë që kjo histori ka zero interes publik. Të vetmet që nxorrën disa pjesë të tyre janë disa llogari në rrjetet sociale, që nuk jetojnë dot pa klikime e ndjekës. Mëkati nuk është të videot, por te ata që i vodhën dhe i shpërndanë. Dhe ne, publiku, duke i rishpërndarë ato, u bëmë pa dashje bashkëpunëtorë në këtë linçim, nga i cili nuk fitoi askush.

Artikuj të ngjashëm