Kalo te përmbajtja / Skip to content
Shqipëri

VIDEO/ Shqiptari hero në New Jersey, shpëton 50-vjeçarin nga mbytja: “Humanizmi nuk ka kufi” (VIDEO)

AutoktonPublikuar më 12.8.2026Përditësuar më 12.8.2026Lexim prej 2 minutash

Një shqiptar në New Jersey është bërë protagonist i një akti heroik, pasi ka ndihmuar në shpëtimin e një 50-vjeçari që rrezikonte të mbytej në ujërat e oqeanit.

Xhemo Lanica, me origjinë nga Ulqini dhe prej shtatë vitesh emigrant në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka rrëfyer për Euronews Albania momentet e vështira të ndërhyrjes dhe mënyrën se si, së bashku me disa shpëtimtarë të plazhit, arritën ta nxirrnin në breg 50-vjeçarin.

Lanica tregon se kur pa personin në rrezik nuk u mendua gjatë dhe vendosi të ndërhynte menjëherë. I rritur pranë detit, ai thotë se përvoja e tij e ndihmoi të përballej me situatën, edhe pse rrymat e forta të oqeanit dhe pesha e 50-vjeçarit e bënë ndërhyrjen veçanërisht të vështirë.

Pas pak çastesh, në ndihmë të tij u bashkuan edhe disa shpëtimtarë që ndodheshin në plazh. Për rreth 15 minuta, ata punuan së bashku dhe, pas përpjekjeve të koordinuara, arritën ta nxirrnin 50-vjeçarin në breg.

“Për të vërtetë falënderoj Zotin që isha aty dhe që të mund t’i jap një dorë për ta ndihmuar. Në raste të tilla nuk ke pse të mendosh dy herë kur jeta e një personi tjetër është në rrezik”, tregon Lanica.

Pas shpëtimit, shqiptari pati mundësi të komunikonte me 50-vjeçarin, i cili e falënderoi për ndërhyrjen dhe i tha se ajo që kishte ndodhur ishte për të një “shans i dytë në jetë”.

Lanica thekson se shpëtimi nuk ishte vetëm rezultat i ndërhyrjes së tij, por i përpjekjes së përbashkët të të gjithë personave që ndodheshin në vendngjarje. Disa dhanë udhëzime, ndërsa të tjerë ndihmuan fizikisht në tërheqjen e litarit dhe nxjerrjen e personit nga uji.

“Humanizmi nuk ka kufi, nuk ka fe dhe nuk ka nacionalitet”, shprehet ai.

Për shqiptarin nga Ulqini, kjo ngjarje është edhe një mundësi për të treguar anën pozitive të komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara, larg rasteve negative që shpesh marrin vëmendjen e opinionit publik.

“Sot kemi doktorë, avokatë, njerëz me shkollim të lartë dhe po përfaqësohemi shumë mirë. Unë jam vërtet krenar për të gjithë shqiptarët dhe bashkëatdhetarët e mi”, shprehet Lanica.