Alarm te Austria para ndeshjes ndaj Kosovës

Austria mund të përballet me Kosovën të dielën pa një prej lojtarëve që kishte mbajtur shiritin e kapitenit në ndeshjen e fundit.
Michael Gregoritsch nuk ka pësuar lëndim serioz në përballjen ndaj Izraelit, por gjendja e tij mbetet në pikëpyetje për sfidën ndaj “Dardanëve”, e cila zhvillohet të dielën nga ora 18:00 në Vjenë.
Sulmuesi austriak pësoi një lëndim në nyjën e këmbës gjatë fitores 3-1 ndaj Izraelit në Linz dhe u detyrua ta lërë fushën që në pjesën e parë. Në vend të tij u aktivizua Sasha Kalajdzic.
Federata Austriake e Futbollit ka konfirmuar për agjencinë e lajmeve APA se lëndimi nuk është serioz. Gregoritsch iu nënshtrua edhe rezonancës magnetike të premten për të vlerësuar gjendjen e tij.

Megjithatë, koha e shkurtër në dispozicion deri në ndeshjen me Kosovën e bën pjesëmarrjen e tij të pasigurt.
Përzgjedhësi Ralf Rangnick ka lënë të hapur mundësinë që 32-vjeçari të mos rrezikohet ndaj “Dardanëve”.
“Ai e zuri keq nyjën dhe u mundua që ta lidhë, por kishte telashe dhe u desh të ndalej. Nuk duket lëndim serioz, por ndeshja ndaj Kosovës është shumë shpejt. Ndoshta do të jetë i gatshëm për dy ndeshjet tjera”, deklaroi Rangnick pas fitores ndaj Izraelit.
Artikuj të ngjashëm



Granit Xhaka rrezikon deri në 5 vite burg, Zvicra merr vendimin për kapitenin
