Kalo te përmbajtja / Skip to content
Sport

Gazetari Driton Latifi- Amir Rrahmanit: Ku ishte ti kur Kosova kishte nevojë për ty. Kapiten lind, nuk bëhesh

AutoktonPublikuar më 12.9.2026Përditësuar më 24.9.2026Lexim prej 4 minutash

Gazetari i njohur sportiv, i ka reaguar kapitenit të Kosovës, Amri Rrahmanit pas vendimit të këtij të fundit që ta braktiste kombëtaren.

Shkrimi i plotë:

KAPITEN NUK BËHESH, KAPITEN LIND…

Në futboll mund të bëhesh shumë gjëra. Mund të bëhesh yll. Mund të bëhesh milioner. Mund të luash në stadiumet më të mëdha të Evropës. Mund të jesh një nga mbrojtësit më të mirë në Itali, madje edhe në botë.

Por kapiten nuk bëhesh vetëm sepse ta vendosin një shirit në krah. Kapiten lind.

Sepse shiriti i kapitenit nuk është dekor. Nuk është privilegj. Nuk është shpërblim për karrierën në klub.

Është përgjegjësi. Është sakrificë. Është besnikëri.

Dhe mbi të gjitha, është të jesh aty kur shokët e tu kanë më së shumti nevojë për ty.

Prandaj, sa do që të flasim, të shkruajmë apo të diskutojmë, populli e ka gjykimin e vet. Nuk i harron veprimet. Sidomos ato që ndodhin në momentet kur historia kërkon karakter.

Sot mund të thuash çfarë të duash. Mund të japësh çfarëdo shpjegimi. Por një gjë është e sigurt: njerëzit nuk e matin një kapiten vetëm me atë se sa mirë e luan ndeshjen. E matin me atë se sa i gatshëm është të luajë për të tjerët.

Dhe kur erdhi momenti më i vështirë, kur Kosova kishte nevojë për të gjithë, ti nuk ishe aty.

Ishte Kombëtarja. Ishin shokët e tu. Ishte Kosova. Dhe ti mungove.

Mund të jesh mbrojtësi më i mirë jo vetëm në Itali, por edhe në botë. Por në Kosovë ke rrezikuar të humbësh diçka që nuk blihet me kontrata, para apo trofe:

RESPEKTIN E NJERËZVE.

Dhe ndoshta kjo është pjesa më e dhimbshme.

Sepse kur ti nuk erdhe, shumë njerëz të mbrojtën. Edhe gazetarët u kursyen. Shumë prej tyre zgjodhën të heshtin, të presin dhe të mos e rëndojnë edhe më shumë situatën.

Por pastaj lind pyetja:

Si mund t’i akuzosh ata që nuk erdhën të të shihnin duke festuar në Napoli, kur ti vetë nuk erdhe të ishe me ta në momentin kur Kosova kishte nevojë për ty?

A e harrove se çfarë komuniteti është ky?

Një komunitet që ka pritur dhe përcjellë yje me respekt. Një popull që ka brohoritur për futbollistët e vet, i ka ngritur në qiell kur kanë luftuar për fanellën dhe i ka falur edhe gabimet kur ka parë sakrificë.

Por populli mund të falë një humbje. Mund të falë një gabim. Mund të falë edhe një ndeshje të keqe.

Ajo që e ka më të vështirë të falë është ndjenja se është lënë pas dore.

Sepse kur vesh fanellën e Kosovës, nuk vesh vetëm një fanellë.

Vesh emocionin e fëmijëve që të shikojnë në televizor. Vesh ëndrrën e një populli që pret dekada për një Kombëtare të vetën. Vesh emrin e atyre që nuk janë më, por që do të kishin dhënë gjithçka për ta parë Kosovën në një skenë të madhe.

Dhe kur je kapiten, barra është edhe më e madhe.

Ti nuk je vetëm njëri prej tyre. Ti je ai që duhet të jetë i pari në rresht kur duhet të luftohet dhe i fundit që largohet kur gjërat bëhen të vështira.

Prandaj, ty historia do ta mbajë mend edhe futbollistin që ishe.

Do t’i mbajë mend ndeshjet, ndërhyrjet, golat, trofetë dhe karrierën.

Por njerëzit do ta mbajnë mend edhe këtë moment.

Jemi lodhur që para çdo ndeshjeje të rëndësishme të Kombëtares të kemi një skenar të ri. Jemi lodhur që futbolli të mbulohet nga drama jashtë fushës. Jemi lodhur që vëmendja të largohet nga fanella e Kosovës dhe të përqendrohet te konfliktet personale, akuzat dhe luftërat e brendshme.

Kombëtarja nuk është pronë e askujt. Nuk është skenë për ego personale dhe as mjet për hesapet e askujt.

Kombëtarja është e Kosovës.

Dhe kur luan Kosova, duhet të flasim për Kosovën. Për lojtarët. Për fanellën. Për krenarinë. Për 11 djemtë që dalin në fushë me flamurin në gjoks.

Të tjerat presin, sidomos kjo që shihet koxha mirë e planifikuar.

Dhe kjo është ajo që duhet të kuptojë çdo kapiten:

Një karrierë mund të ndërtohet për vite.
Një emër mund të bëhet i madh për vite.
Por respekti mund të humbet në një moment.

Sepse në fund të fundit, kapiten nuk është ai që e mban shiritin.

Kapiten është ai që, kur të gjithë pyesin “ku jeni?”, përgjigjet:

“Unë jam këtu.”

Dhe pikërisht atëherë kur Kosova kishte më së shumti nevojë për kapitenin e saj, pyetja e përhershme që do të mbetet është:

Ku ishe ti kur Kosova kishte nevojë për ty?

Artikuj të ngjashëm