Mekaniku më i mirë në Spanjë zbulon çfarë veture do të blinte: “Pa u menduar dy herë!”

Javier Sendín, i shpallur mekaniku më i mirë në Spanjë në vitin 2023, rekomandon hibridin plug-in, mundësisht të prodhuar nga një kompani japoneze. Ai paralajmëron edhe për kostot e larta të riparimit të veturave moderne.
Blerja e një veture të re po bëhet gjithnjë e më e vështirë, jo vetëm për shkak të çmimeve të larta, por edhe për shkak të teknologjisë së ndërlikuar dhe kostove të shtrenjta të mirëmbajtjes.
Javier Sendín, mekaniku spanjoll i cili në vitin 2023 u shpall më i miri në Spanjë, ka treguar se çfarë veture do të blinte sot, nëse do të duhej të zgjidhte një të tillë.
“Për të qenë i sinqertë, sot nuk kam fare dëshirë të blej një veturë të re. Por, nëse do të më duhej patjetër, pa u menduar dy herë do të zgjidhja një hibrid plug-in, mundësisht japonez”, ka deklaruar ai në një intervistë për median spanjolle Mundo Deportivo.
Pse zgjedh një hibrid plug-in?
Sipas Sendín, veturat hibride plug-in (PHEV) përfaqësojnë një kompromis të mirë ndërmjet automjeteve elektrike dhe atyre me motor tradicional me djegie të brendshme.
Përparësia kryesore e tyre është mundësia e lëvizjes me energji elektrike gjatë udhëtimeve të përditshme, ndërsa motori me benzinë mbetet në dispozicion për distanca më të gjata.
“Këto automjete kombinojnë më të mirat e dy teknologjive: motorin me djegie të brendshme dhe motorin elektrik”, shpjegon mekaniku.
Në qytet, kur bateria është e karikuar, ato mund të lëvizin vetëm me energji elektrike, duke shmangur emetimet nga marmita gjatë kësaj mënyre të drejtimit. Ndërkaq, motori me benzinë ofron më shumë fleksibilitet për udhëtime të gjata.
Disa modele moderne mund të përshkojnë më shumë se 90 kilometra vetëm me energji elektrike, ndërsa autonomia e përgjithshme, duke kombinuar të dy motorët, te disa modele mund të kalojë 1.000 kilometra.
Megjithatë, përfitimet ekonomike varen edhe nga mundësia e karikimit të rregullt të baterisë.
Riparimet e veturave moderne kushtojnë mijëra euro
Përtej zgjedhjes së llojit të motorit, Sendín ka ngritur shqetësimin për rritjen e ndjeshme të kostove të mirëmbajtjes dhe riparimit të veturave moderne.
Sipas tij, çmimet e pjesëve rezervë janë bërë jashtëzakonisht të larta, ndërsa edhe dëmtimet që duken të vogla mund të sjellin fatura marramendëse.
“Veturat sot janë shumë më të shtrenjta për t’u mirëmbajtur sesa para disa vitesh. Çmimet e pjesëve janë të pabesueshme. Një ekran multimedial mund të kushtojë nga 9.000 deri në 10.000 euro, ndërsa një fener i përparmë me teknologji matricore mund të kushtojë 2.500 euro”, paralajmëron ai.
Mekaniku thekson se, në disa raste, edhe një aksident relativisht i lehtë mund të rezultojë me dëme financiare aq të mëdha, saqë vetura të shpallet dëmtim total.
Sipas tij, një goditje ballore që dëmton dy fenerët e përparmë dhe aktivizon jastëkët e ajrit mund të shkaktojë kosto riparimi që e bëjnë të paarsyeshëm rikthimin e veturës në gjendje pune.
Shkaku kryesor, sipas Sendín, është shtimi i elektronikës, sensorëve dhe sistemeve të avancuara, të cilat e rrisin ndjeshëm çmimin e pjesëve dhe të ndërhyrjeve teknike.
Siguri më e lartë, por edhe shpenzime më të mëdha
Pavarësisht kritikave, Sendín pranon se teknologjia moderne ka sjellë përmirësime të rëndësishme në sigurinë dhe komoditetin e veturave.
Sistemet e asistencës për shoferin dhe pajisjet e reja të sigurisë e bëjnë drejtimin më të lehtë dhe ulin rreziqet në trafik.
Megjithatë, ai vlerëson se këto përparime kanë një kosto që jo të gjithë mund ta përballojnë.
Mesazhi i mekanikut spanjoll është i qartë: përpara se të blejnë një veturë të re, shoferët duhet të marrin parasysh jo vetëm çmimin e blerjes dhe konsumin e karburantit, por edhe kostot e mundshme të riparimit dhe mirëmbajtjes në vitet në vijim.



