Aeroplani luftarak F-16 rrëzohet pranë një baze amerikane në Gjermani

Një aeroplan ushtarak është rrëzuar sot në territorin e bazës ajrore amerikane Spangdahlem, në perëndim të Gjermanisë. Sipas informacioneve të para, një person është lënduar.
Aksidenti ka ndodhur në zonën e Eifelit, në landin Renania-Palatinat. Autoritetet lokale të distriktit Bitburg-Prüm konfirmuan se në vendngjarje kanë dalë ekipet e zjarrfikësve dhe shërbimet e mbrojtjes civile.
“Për momentin nuk mund të japim asnjë informacion rreth rrjedhës së aksidentit apo detajeve të tjera të ngjarjes”, njoftuan autoritetet lokale, shkruajnë mediat.
Forcat Ajrore të SHBA-së ende nuk kanë publikuar informacione shtesë për aksidentin. Nuk dihet se për çfarë lloji të aeroplanit ushtarak bëhet fjalë dhe as çfarë e shkaktoi rrëzimin.
Në bazën ajrore Spangdahlem është e stacionuar një skuadrilje me rreth 20 aeroplanë luftarakë F-16. Ajo merr pjesë në mbështetjen e operacioneve të Forcave Ajrore amerikane dhe NATO-s në mbarë botën dhe përbën një pjesë të rëndësishme të aktiviteteve të bazës.
Në bazë punojnë rreth 5 mijë pjesëtarë të personelit ushtarak dhe civil, ndërsa aty jetojnë edhe familjet e tyre. Baza amerikane punëson gjithashtu rreth 700 deri në 800 shtetas gjermanë.
Në tetor të vitit 2019, një F-16 amerikan u rrëzua gjatë një fluturimi rutinë stërvitor në një pyll pranë Zemmer-Rodt, jo larg bazës. Piloti arriti të katapultohej dhe pësoi lëndime të lehta.
Forcat Ajrore amerikane janë të pranishme në Spangdahlem që nga mesi i viteve 1950. Së bashku me bazën Ramstein pranë Kaiserslauternit, Spangdahlem është një nga bazat më të rëndësishme ajrore ushtarake amerikane në Gjermani.
Artikuj të ngjashëm

Vuçiq ia kumton “shefit” Putin dorëheqjen nga posti i presidentit të Serbisë


