Çka po ndodh në Irak? Largohen të gjitha trupat amerikane, vendi përgatitet për festë

Forcat e armatosura amerikane janë tërhequr plotësisht nga territori irakian, sipas një burimi qeveritar në Bagdad, i cili e bëri të ditur informacionin për agjencinë gjermane të lajmeve DPA.
Sipas burimit, nga Iraku janë larguar si forcat luftarake, ashtu edhe njësitë mbështetëse amerikane. Megjithatë, deri tani nuk ka pasur një konfirmim zyrtar nga Uashingtoni për përfundimin e tërheqjes.
Qeveritë e të dy vendeve kishin arritur një marrëveshje për tërheqjen e forcave amerikane. Sipas Pentagonit, rreth 2,500 trupa amerikane ishin të stacionuara në Irak gjatë viteve të fundit.
Para tërheqjes, forcat amerikane ishin të vendosura në disa pika strategjike, përfshirë baza në Erbil, në rajonin autonom të Kurdistanit, aeroportin e Bagdadit, si dhe në Zonën e Gjelbër, ku ndodhen institucionet qeveritare dhe ambasadat e huaja.
Një koalicion ushtarak i udhëhequr nga SHBA-ja u përfshi në fushatën kundër organizatës terroriste ISIS në Irak dhe Siri në vitin 2014. Organizata humbi kontrollin mbi territorin e saj në Irak në vitin 2017 dhe në Siri në vitin 2019. Megjithatë, qelizat e ISIS-it mbeten aktive dhe vazhdojnë të kryejnë sulme sporadike në të dyja vendet.
Situata e sigurisë në Irak është përkeqësuar sërish pas përshkallëzimit të konfliktit në Lindjen e Mesme. Forcat amerikane dhe grupet e armatosura të lidhura me Iranin janë përfshirë në përplasje të përsëritura gjatë viteve të fundit.
Që nga shpërthimi i konfliktit të fundit, janë raportuar qindra sulme, veçanërisht ndaj forcave dhe instalimeve amerikane.
Irani dhe grupet e armatosura aleate me të në Irak pritet ta mirëpresin tërheqjen e trupave amerikane.
Duke nisur nga e mërkura, dita kur ushtria amerikane pritet të largohet, Iraku planifikon një festë katërditore për të shënuar atë që është cilësuar si “Dita e Pavarësisë”.



