Dronë, raketa dhe shpërthime, Amerika sulmon ishullin e Iranit, Garda mësyen bazën e SHBA-së

Amerika dhe Irani iu kthyen gjuhës së forcës, pasi diplomacia nuk po jep rezultate. Palët kanë shkëmbyer sulme ajrore me forcat e Shteteve të Bashkuara që bombarduan dy raketahedhës në ishullin Larak në Ngushticën e Hormuzit.
Sulmet e para të njohura amerikane ndaj Iranit që nga fundi i korrikut vranë dy persona dhe plagosën dy të tjerë, sipas Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit.
Komanda Qendrore e SHBA-së njoftoi se kishte ndërmarrë “veprime të kufizuara dhe të sakta” kundër “forcave të vendosjes së minave që paraqesin një kërcënim të menjëhershëm në Ngushticën e Hormuzit”. Irani tha se kishte goditur bazat ushtarake amerikane në Jordani si kundërpërgjigje.
“Ne nuk kërkojmë luftë dhe ky është mesazhi i qartë që i kemi përcjellë botës deri më tani. Por ne kurrë nuk do të qëndrojmë të qetë përballë ndonjë agresioni dhe do t'u japim një përgjigje vendimtare agresorëve. Paqëndrueshmëria në rajon nuk është në interes të asnjë vendi dhe do të përbëjë një sfidë për të gjithë.”, tha Masoud Pezeshkian President i Iranit.
Ushtria e Jordanisë tha se kishte kapur tetë raketa herët të hënën në mëngjes. Televizioni shtetëror i Iranit tha se ushtria iraniane kishte shënjestruar një bazë ajrore në Emiratet e Bashkuara Arabe me dronë. Sulmi amerikan është sulmi i parë i njohur ndaj Iranit që kur Presidenti Donald Trump ndaloi një fushatë të ripërtërirë ushtarake në fund të korrikut.
Ishulli Larak është shumë pranë portit kyç të Bandar Abbas dhe ndodhet pikërisht në Ngushticën e Hormuzit, një rrugë ujore jetësore për transportin detar global.
Rreth 20% e naftës dhe gazit natyror të lëngshëm në botë kalonte aty para se të fillonte lufta. Irani aktualisht po kërkon që trafiku i tankerëve të kalojë pranë këtij ishulli për kontroll dhe thuhet se po i detyron anijet të paguajnë 2 milionë dollar për të kaluar.
Burimi: (A2 Televizion)



