Kalo te përmbajtja / Skip to content
Botë

Dronët ukrainas godasin një bazë ajrore dhe një nga rafineritë më të mëdha të naftës në Rusi

AutoktonPublikuar më 30.8.2026Përditësuar më 30.8.2026Lexim prej 1 minutash

Një valë e re sulmesh me dronë ukrainas ka goditur të dielën dy objekte me rëndësi strategjike në Rusi – një aeroport ushtarak në Yeysk dhe rafinerinë e madhe të naftës Kirishi, në rajonin e Leningradit.

Në Krasnodar Krai, dronët shënjestruan bazën ajrore ushtarake të Yeysk. Sipas raportimeve nga kanale të pavarura monitorimi dhe të dhënave satelitore të NASA FIRMS, pas sulmit u regjistruan vatra zjarri pranë pistave të lëvizjes së avionëve dhe zonave të magazinimit, transmeton Telegrafi.

Banorët lokalë raportuan gjithashtu shpërthime të tjera pas goditjeve fillestare, ndërsa autoritetet ruse nuk kishin dhënë menjëherë një koment zyrtar mbi dëmet në bazën ushtarake.

Në të njëjtën kohë, një numër i madh dronësh sulmuan rajonin e Leningradit, ku objektivi ishte rafineria Kirishi, e njohur si KINEF.

Guvernatori i rajonit, Alexander Drozdenko, tha se mbrojtja ajrore ruse kishte rrëzuar 42 dronë. Megjithatë, ai konfirmoi se një zjarr shpërtheu në zonën industriale të Kirishit, duke aktivizuar ekipet e emergjencës.

Rafineria KINEF është një prej impianteve më të mëdha të përpunimit të naftës në Rusi dhe e vetmja rafineri e madhe e këtij lloji në veriperëndim të vendit. Ajo përpunon rreth 20 milionë tonë naftë bruto në vit, ekuivalente me afërsisht 400 mijë fuçi në ditë.

Kapaciteti i saj përfaqëson më shumë se 6 për qind të kapacitetit total të rafinimit të naftës në Rusi, duke e bërë objektin veçanërisht të rëndësishëm për furnizimin me karburant të vendit, përfshirë nevojat e forcave të armatosura ruse.

Sulmet ndaj Yeysk dhe Kirishit tregojnë edhe një herë se Ukraina po zgjeron përdorimin e dronëve me rreze të gjatë kundër objektivave strategjikë thellë brenda territorit rus, duke synuar jo vetëm infrastrukturën ushtarake, por edhe kapacitetet energjetike që mbështesin ekonominë dhe përpjekjet luftarake të Moskës. /Telegrafi/

Artikuj të ngjashëm