Droni hyn në hapësirën ajrore të Lituanisë, rrëzohet nga avionët luftarakë të NATO-s

Një dron ka hyrë në hapësirën ajrore të Lituanisë dhe është rrëzuar nga avionët luftarakë të NATO-s, bëri të ditur presidenti lituanez Gitanas Nausėda në orët e para të së martës, përcjell DW.
Nausėda falënderoi aleancën për reagimin e shpejtë, duke theksuar se gatishmëria e NATO-s është e rëndësishme për sigurinë e rajonit në kushtet e intensifikimit të agresionit rus ndaj Ukrainës.
“Me Rusinë që po intensifikon agresionin e saj kundër Ukrainës, një gatishmëri e tillë është jetike për rajonin tonë. Së bashku me aleatët tanë të NATO-s, Lituania do të mbrojë hapësirën e saj ajrore”, shkroi Nausėda në X.
Sipas të dhënave paraprake të Qendrës Kombëtare të Menaxhimit të Krizave, të cituara nga radioja kombëtare lituaneze LRT, droni kishte ardhur nga Bjellorusia, aleate e Rusisë, dhe po lëvizte në drejtim të perëndimit kur u rrëzua.
Mjeti ajror ka rënë në një zonë rurale pranë liqenit Kaunas, në pjesën qendrore të Lituanisë.
Ministri i Jashtëm lituanez, Kęstutis Budrys, e cilësoi reagimin e NATO-s si një mesazh të qartë se aleanca është vigjilente dhe e gatshme për të reaguar.
Lituania kufizohet me Bjellorusinë dhe me enklavën ruse të Kaliningradit. Që prej nisjes së pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës nga Rusia në shkurt 2022, incidente me hyrjen e dronëve në hapësirën ajrore të vendeve baltike, përfshirë Lituaninë, Letoninë dhe Estoninë, janë bërë më të shpeshta.
Artikuj të ngjashëm

Vuçiq ia kumton “shefit” Putin dorëheqjen nga posti i presidentit të Serbisë


