Dy ditë i vetëm në ujërat e ftohta, 15-vjeçari shpëtohet mbi varkën e përmbysur

Një 15-vjeçar është shpëtuar pasi kaloi dy ditë i ulur mbi një varkë të përmbysur në ujërat e ftohta të Detit Bering, në brigjet e Alaskës.
Djali, i identifikuar nga familjarët si Derek Parker Aghnaanga, ishte i vetmi i mbijetuar nga tre personat që ndodheshin në varkën e peshkimit. Vëllai i tij më i madh dhe kushëriri humbën jetën në incident.
Sipas Rojës Bregdetare të SHBA-së, treshja ishte nisur nga ishulli St. Lawrence të premten, më 4 shtator, dhe pritej të kthehej të dielën pasdite. Pasi varka nuk u kthye, u nis një operacion kërkimi dhe shpëtimi.
Një ekuipazh ajror i Rojës Bregdetare e gjeti 15-vjeçarin të hënën në mëngjes, duke qëndruar mbi varkën e përmbysur. Një anije e afërt arriti ta tërhiqte në siguri, ndërsa më pas nxori edhe trupat e dy të afërmve të tij, raporton BBC.
Aghnaanga kishte shenja hipotermie kur u shpëtua. Kapiteni i anijes që e gjeti, Adam White, tha se adoleshenti ishte kapur fort pas varkës gjatë natës, ndërsa temperatura e ujit ishte rreth 10 gradë Celsius.
“Ky është një djalë i fortë”, tha White për KTUU-TV.
Nëna e 15-vjeçarit, Vina Kulowiyi, tha se varka ishte përmbysur të shtunën, duke e lënë djalin pa ushqim dhe ujë për dy ditë. Ajo shkroi se i biri kishte qëndruar gjatë gjithë kohës duke u lutur.
“Historia e tij është e mahnitshme. Ai nuk pati kurrë frikë gjatë gjithë kohës”, shkroi ajo.
Kulowiyi tha se djemtë kishin dalë për të peshkuar për të siguruar ushqim për familjet dhe anëtarët e komunitetit të tyre në Savoonga, një fshat me rreth 800 banorë në ishullin St. Lawrence.
Komandanti i Distriktit Arktik të Rojës Bregdetare, kundëradmirali Bob Little, shprehu ngushëllimet për familjet dhe komunitetin pas humbjes së dy marinarëve.
Artikuj të ngjashëm



Rutte zbulon rolin që pritet të ketë Turqia në garancitë e sigurisë për Ukrainën
