Kalo te përmbajtja / Skip to content
Botë

Panik në ajër në Rodos, avioni me 33 pasagjerë pëson defekt në motor, përfshihet nga flakët gjatë fluturimit

AutoktonPublikuar më 30.8.2026Përditësuar më 30.8.2026Lexim prej 1 minutash

Momente ankthi kanë kaluar 33 pasagjerë të një avioni që ishte nisur nga ishulli grek i Rodosit drejt Karpathosit.

Mësohet se avioni me helika ATR 42 i kompanisë Olympic Air, pjesë e grupit AEGEAN, u detyrua të kthehej në aeroportin “Diagoras” të Rodosit vetëm pak minuta pas ngritjes, për shkak të një problemi në njërin prej dy motorëve.

Sipas mediave lokale, gjatë fluturimit nga motori u pa të dilte tym dhe raportohet se për disa çaste u shfaqën edhe flakë. Pamjet e publikuara tregojnë një gjurmë të dukshme tymi pas avionit. Piloti reagoi menjëherë dhe vendosi të kthehej në Rodos. Sipas raportimeve, motori me problem u çaktivizua dhe avioni vazhdoi fluturimin me motorin tjetër, duke u ulur pa probleme.

Në aeroport ndërkohë ishte dhënë alarmi. Zjarrfikësit dhe shërbimet e emergjencës u vendosën pranë pistës, por ndërhyrja e tyre nuk ishte e nevojshme.Të  33 pasagjerët dhe tre anëtarët e ekuipazhit zbritën të sigurt dhe nuk u raportua asnjë i lënduar

Kompania AEGEAN, në njoftimin e saj zyrtar, është më e rezervuar për shkaqet e incidentit. Ajo nuk konfirmon se motori mori flakë, por thotë se avioni shfaqi një sinjal për një problem të mundshëm në sistemin e vajit të njërit prej motorëve. Për këtë arsye, kapiteni ndoqi procedurat e sigurisë dhe vendosi kthimin e menjëhershëm në Rodos.

Avioni, me numër fluturimi OA94, kryente fluturimin e linjës Rodos–Karpathos dhe më pas do të vazhdonte drejt Kasosit dhe Sitias.Pas incidentit, AEGEAN dërgoi një avion tjetër nga Athina për të marrë pasagjerët dhe për të vazhduar udhëtimin e tyre. Shkaqet e sakta të defektit pritet të përcaktohen nga kontrolli teknik i avionit. Deri tani, ajo që konfirmohet zyrtarisht është se ekuipazhi veproi sipas procedurave dhe se incidenti përfundoi pa asnjë të lënduar.

Artikuj të ngjashëm