Studentja iraniane dënohet me vdekje për blasfemi, shkak një postim në rrjetet sociale

Një studente 23-vjeçare në Iran është dënuar me vdekje për fyerje të Profetit Muhamed, pas një postimi në rrjetet sociale. Rasti i Najmeh Aminit ka ngritur shqetësime te organizatat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, të cilat paralajmërojnë për përdorimin e dënimit kapital ndaj personave që kundërshtojnë autoritetet. Amini, studente e kontabilitetit, mbahet në burgun Vakilabad, në qytetin Mashhad, në verilindje të Iranit. Përveç dënimit me vdekje, në një proces tjetër gjyqësor ajo është dënuar me 12 vjet, gjashtë muaj dhe një ditë burgim për vepra penale që lidhen me sigurinë kombëtare dhe përhapjen e propagandës kundër regjimit.
Sipas një burimi pranë familjes së saj, të cituar nga organizata Aktivistët e të Drejtave të Njeriut në Iran (HRAI), dënimi me vdekje është dhënë për akuzën e njohur si “sab ol-nabi”, që lidhet me fyerjen e Profetit Muhamed. E reja u arrestua nga forcat e sigurisë gjatë protestave masive antiqeveritare të janarit, të cilat u shtypën nga autoritetet iraniane. Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, gjatë shtypjes së protestave u vranë mijëra persona, ndërsa agjencia e lajmeve Hrana, e lidhur me HRAI-n, raportoi më shumë se 50 mijë arrestime.
Muajin e kaluar, në një mesazh audio të publikuar nga burgu, Amini iu drejtua Kombeve të Bashkuara, avokatëve dhe organizatave të të drejtave të njeriut, duke kërkuar ndërhyrjen e tyre për çështjen e saj. “Unë nuk dua të paraqitem si heroinë. Dua vetëm një gjë: që zëri im të dëgjohet”, thuhet në mesazhin e saj.
“Jam një vajzë e re dhe e pafajshme, me shumë shpresa dhe ëndrra. Kam prindër që më presin. Një familje që qëndron zgjuar çdo natë nga frika se mos më humbet”, u shpreh ajo.
Organizatat për të drejtat e njeriut paralajmërojnë se dënimet me vdekje po përdoren gjithnjë e më shumë në Iran për të krijuar frikë dhe për të frenuar kundërshtimin ndaj autoriteteve.
Sipas Organizatës për të Drejtat e Njeriut në Iran (IHRNGO), me seli në Oslo, më shumë se 600 persona janë ekzekutuar në vend që nga fillimi i vitit.
Drejtori i organizatës, Mahmoud Amiri-Moghaddam, e cilësoi rastin e 23-vjeçares shqetësues, duke paralajmëruar se ai mund të krijojë një precedent të rrezikshëm për lirinë e shprehjes.
Sipas tij, dënimi me vdekje për një postim në rrjetet sociale rrezikon të normalizojë përdorimin e dënimit kapital ndaj shprehjes paqësore dhe të zgjerojë rastet në të cilat ai zbatohet.
Amiri-Moghaddam paralajmëroi gjithashtu se mungesa e një reagimi të vendosur nga komuniteti ndërkombëtar mund të bëjë që raste të tilla të përsëriten më shpesh.
Çfarë parashikon ligji iranian për blasfeminë?
Kodi Penal Islamik i Iranit, në nenin 262, parashikon dënimin me vdekje për fyerjen e Profetit Muhamed. Ndërkohë, neni 263 përcakton disa rrethana përjashtuese, përfshirë rastet kur deklaratat bëhen pa qëllim fyerjeje, megjithëse mund të parashikohen edhe ndëshkime të tjera. Sipas gazetës iraniane Khorasan, e cila raportoi mbi procesin gjyqësor, Amini ka deklaruar në gjykatë se komentet në fjalë i kishte publikuar pasi kishte konsumuar kërpudha halucinogjene me miqtë e saj.
Mbrojtja argumentoi se bëhej fjalë për një deklaratë të paqëllimshme dhe kërkoi që gjykata të merrte parasysh gjendjen e saj në momentin e publikimit.
Megjithatë, gjyqtari e rrëzoi këtë argument. Sipas raportimit të gazetës, ai e pyeti studenten pse, në të njëjtën gjendje, nuk kishte fyer figura të tjera apo kundërshtarë të regjimit, si Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli. Dënimi me vdekje ndaj Najmeh Aminit nuk është ende përfundimtar. Sipas raportimit, vendimi mund të ankimohet në Gjykatën Supreme të Iranit.



