Kalo te përmbajtja / Skip to content
Botë

Sulmi me shpatë në një shkollë në Suedi, vdes një person, arrestohet 18 vjeçari

AutoktonPublikuar më 21.8.2026Përditësuar më 21.8.2026Lexim prej 2 minutash

Një person ka vdekur pasi një 18-vjeçar, i armatosur me shpatë dhe i veshur me helmetë, kreu një sulm në një shkollë në Suedi.

Më herët, policia kishte bërë të ditur se dy djem adoleshentë ishin plagosur rëndë, ndërsa një person i tretë ishte dërguar gjithashtu në spital, por ende nuk dihej shkalla e plagëve të tij, raporton SkyNews, përcjell Gazeta Express.

Policia u thirr në shkollën e mesme Brinell, në qytetin Fagersta, në veriperëndim të kryeqytetit Stokholm, të premten.

I dyshuari, i cili u qëllua me armë zjarri, është arrestuar dhe ndodhet në paraburgim, thanë autoritetet.

Një zëdhënës i policisë tha: “Në orën 14:06 morëm një alarm për dhunë të dyshuar vdekjeprurëse dhe dërguam të gjitha njësitë në dispozicion në shkollë.”

Zëdhënësi tha se nuk kishte më rrezik për publikun.

Transmetuesi publik STV, duke cituar burime të paidentifikuara, raportoi se personi i arrestuar ishte ish-nxënës i shkollës dhe kishte një dënim të mëparshëm për sulm.

Një nxënës i shkollës tha se kishte parë një viktimë me plagë të shkaktuar nga goditja me thikë në krah, duke thënë: “Pastaj njerëzit thirrën policinë dhe të gjithë ikëm prej aty sepse ishim të frikësuar.”

Disa shkolla të tjera dhe ndërtesa publike në Fagersta u vendosën gjithashtu në izolim pas sulmit me shpatë.

Pelle Vamstad, zëdhënës i policisë, i tha agjencisë së lajmeve TT se autoritetet do të shqyrtojnë nëse pamjet e kamerave të sigurisë mund të përdoren në hetimin paraprak.

Kryeministri i Suedisë, Ulf Kristersson, në një postim online tha se në Fagersta kishte ndodhur një “incident serioz”, “menjëherë pas pushimeve verore”.

“Ka raportime për persona të plagosur. Ende nuk e dimë se çfarë qëndron pas këtij akti, por e dimë se policia po punon me shumë intensitet”, shtoi ai. “Mendimet tona janë me të gjithë të prekurit.”

Shkolla e mesme Brinell ka rreth 450 nxënës, të moshave nga 16 deri në 20 vjeç.

Sulmi ndodhi një vit pas të shtënave në një shkollë në Orebro, gjithashtu në Suedinë qendrore, ku një person i armatosur vrau 10 persona para se të vriste veten. Ky ishte sulmi masiv me më së shumti viktima në historinë e Suedisë.

Artikuj të ngjashëm