Kalo te përmbajtja / Skip to content
Botë

Ukraina godet objektivin hapësinor rus – Zelensky: “Qendra Progress u sulmua me raketa”

AutoktonPublikuar më 16.8.2026Përditësuar më 16.8.2026Lexim prej 2 minutash

Ukraina ka kryer një seri sulmesh ndaj objektivave strategjike në territorin rus, duke goditur mes tyre edhe Qendrën e Raketave dhe Hapësirës Progress në rajonin e Samarës.

Presidenti ukrainas, Volodimir Zelenski, deklaroi se forcat ukrainase goditën objektin me raketa FP-5 Flamingo, duke e cilësuar Progress si një nga ndërmarrjet kryesore të agjencisë hapësinore ruse Roskosmos.

Sipas Zelenskyt, qendra është e përfshirë në prodhimin e teknologjive dhe pajisjeve që lidhen me programin hapësinor rus, përfshirë elektronikën.

Por sulmet ukrainase nuk u kufizuan vetëm në objektin hapësinor.

Sipas presidentit ukrainas, objektiva të tjera u goditën në bazën ajrore Savaslejka, në rajonin e Nizhni Novgorodit, si dhe në një objekt të industrisë së naftës në Ust-Luga, pranë kufirit me Estoninë.

Zelenski pretendoi se baza ajrore Savaslejka përdoret për strehimin dhe operimin e avionëve që marrin pjesë në sulmet raketore kundër Ukrainës.

Më pas, Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës publikoi të dhëna shtesë mbi operacionin, duke konfirmuar goditjet ndaj qendrës Progress dhe bazës ajrore Savaslejka.

Sipas palës ukrainase, në objektet e goditura janë regjistruar edhe zjarre pas sulmeve.

Shtabi i Përgjithshëm theksoi se mjetet e lëshimit të prodhuara në kompleksin Progress përdoren për vendosjen në orbitë të satelitëve ushtarakë, të zbulimit dhe të komunikimit të Rusisë.

Kjo e bën objektin një pikë me rëndësi strategjike për kapacitetet hapësinore dhe ushtarake ruse.

Ndërkohë, baza ajrore Savaslejka konsiderohet gjithashtu një objekt me rëndësi të lartë ushtarake. Sipas Shtabit të Përgjithshëm ukrainas, aty operojnë avionë luftarakë MiG-31K, të cilët mund të përdoren për transportimin dhe lëshimin e raketave balistike Kh-47M2 Kinzhall.

Sulmet shënojnë një tjetër përshkallëzim të goditjeve ukrainase në thellësi të territorit rus, duke synuar objekte që Kievi i konsideron pjesë të infrastrukturës ushtarake dhe strategjike të Moskës.

Për momentin, informacionet mbi dëmet e shkaktuara në objektet ruse vijnë kryesisht nga pala ukrainase, ndërsa përmasat e plota të dëmeve dhe pasojat e sulmeve mbeten për t’u verifikuar në mënyrë të pavarur.

Artikuj të ngjashëm