Çun Lajçi kujton Simon Shirokën dhe uron të bijën presidente:: E kam dijtë se nji ditë Justi ka me qenë zemra e argjendtë e Kosovës!

Aktori i njohur Çun Lajçi ka uruar Justina Shiroka Pulën pas zgjedhjes së saj presidente e Republikës së Kosovës.
Në një postim emocional, Lajçi ka kujtuar babanë e saj, Simon Shirokën, dhe një takim të viteve të hershme të karrierës së tij artistike, duke rrëfyer për kontributin dhe dashurinë që ai kishte për artistët.
Lajçi kujton se në vitin 1972, pas premierës së shfaqjes “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, Simon Shiroka kishte qenë mes të pranishmëve dhe kishte përgëzuar artistët e rinj.
Ai tregon se Shiroka u kishte dhuruar disa prej tyre punime prej argjendi, ndërsa Lajçit i kishte dhënë një qystek për sahatin.
Postimi i plotë:
Justinë!
Mbramë ishte premiera e “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”. Mbramë ishte viti ’72 e ti na duartrokisje ngjitun me skenën, e “duartrokitjet e gjata na dehën neve, artistët e rijë, dhe, nga lumtunia, zbritëm në byfenë VIP të teatrit,me festue suksesin e aktorëve dhe të regjisorit Pirro Mani.
Yt atë, Simoni, na shtrëngonte n’parzëm dhe faqet na i lagte me lot. Ishte i entuziazmuem me Gjeneralin, Priftin, Nicën, edhe me neve që kishim nga dy-tri fjalë! ! I përjetonte personazhet sikur të ishin njerëz që i kishte njohë e dashtë vetë.
Nga nji unazë argjendi ia futi n’gisht Shaniut, Istrefit, Melit … e mue ma vari n’qafë qystekun e sahatit.
– Ti je rugovas, e rugovasëve u duhet qysteku kur ti veshin xhamadanat.
– Asht çmimi për artin i argjendarit Simon, tha e qeshi e qau!
Ishte mënyra e tij me na thanë se na kishte për zemër. Nuk dinte me ardhë duarthatë te artistët.
Justinë, yt atë ishte ma shumë se artist, ma shumë se argjendar, ma shumë se atdhetar. Ishte njeri me kulturë, me dinjitet dhe shqipdashës i papamë. Artistët i stolisi me artizanatin e vet plot tridhjetë vjet dhe, gadi-gadi, kurrë s’i mori mbrapsht.
— I keni nga artisti i argjendit, — na thoshte. — Kosova asht e mbulueme me ar e argjend dhe kurrë nuk soset.
E thoshte tue qeshë, sepse Simoni kurrë s’mund të mos ishte gazmor. Edhe kur fliste për gjanat ma të mëdha, dinte me ua gjetë nji fjalë të vogël që ta çelte zemrën.
Për ne, artistët e rijë të asaj kohe, Simoni nuk ishte veç argjendari që na dhuronte nji unazë, nji qystek a nji stoli. Ishte nji burrë që dinte me na e kujtue se arti nuk asht veç skena ku ngjitesh, por edhe dora që i zgjatet artistit kur ai ka nevojë për nji fjalë, nji përqafim a nji grimë besimi. E Simoni i kishte të trija: dorën, fjalën dhe zemrën.
Prandaj mbramë, kur u takuem me të në kujtesë, nuk po festojshim veç nji post. Po festojshim edhe nji vazhdim.
Mbramë, me Simon Shirokën, e festuem edhe postin tand, Justinë, e yt atë s’i përmbante lotët.
— E kam dijtë se nji ditë Justi ka me qenë zemra e argjendtë e Kosovës! — tha.
Dhe ia krisi kangës:
— O zambaku i bardhë!
Ndoshta Simoni e kishte lanë prej kohësh nji copë të zemrës së vet në argjend, në duart e artistëve, në kangët e Prizrenit e tash, edhe në postin tand.
Urime posti i Presidentes, Justinë, çika shtatselvi e Simon Shirokës!
Bahu argjendi i Kosovës e tregoi botës se kjo tokë s’ka veç qymyr. Kjo tokë ka ar e argjend, ka njerëz që dinë me e dashtë dhe shqiptarë që s’përtojnë me vdekë për lirinë e saj.



